Rikthehen pas 13 vitesh “Ethet e Nilit” në Shqipëri! Nga kjo sëmundje deri më tani, në të gjithë territorin e Shqipërisë, janë shënuar 3 viktima dhe 17 të infektuar. Lajmin e bëri me dije “TopChannel”, në një artikull ku shkruhej se shefja e departamentit të Sëmundjeve Ngjitëse pranë ISHP-së, Silva Bino doli në një njoftim për mediat. Por kjo dalje për mediat nuk ka ndodhur, sidomos në një situatë të tillë që ka shkaktuar edhe humbje jete. Edhe pse duhet që të dalin me një njoftim zyrtar për të bërë me dije risqet dhe situatën në vend, Instituti i Shëndetit Publik është mjaftuar me një infografikë, ku thjesht na informon sesi të shmangin pickimin e mushkonjave.
Por çfarë janë “Ethet e Nilit”?
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.
Simptomat
Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin: temperaturë e moderuar, gjendje parehatie e përgjithshme, ulje të oreksit, të përziera, dhembje koke, sysh, shpine, nyje imfatike të zmadhuara, vështirësi në frymëmarrje. Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si: temperaturë e lartë, encefalit, meningjit, paralizë të lehtë,etj.
Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.