Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni “Plumbi i artë 2”. Në pranga ka përfunduar edhe motra e të ndjerit, Regis Runaj, i cili u vra pak vitë më parë në qytetin e Elbasanit. Gazetari Elton Qyno bën me dije për “OraNews” se në pranga është edhe një sekretare gjyqësore e quajtur, Denada Toda alias Runaj. Kjo e fundit ka shërbyer më shumë se 10 vite si sekretare pranë gjyqtares Pajtime Fetahu. Por prej disa kohësh ajo është larguar me dorëheqje nga gjykata e Elbasanit, duke u vendosur në Itali.
Urdhëri për arrestimin e Denada Toda alias Runaj është kryer pikërisht në të njëjtën datë kur Regis Runaj është vrarë. Në 29 korrik 2024, familja Runaj ka bërë homazhe në varrin e Regisit, duke e përkujtuar atë në 4-vjetorin e vrasjes së tij, ku në derë i ka ardhur urdhërarresti për të motrën. Sipas SPAK, kjo e fundit gjatë periudhës Shtator-Tetor 2020 kur shërbente si sekretare në gjykatën e Elbasanit, ka dërguar dokumenta sekrete në drejtim të personave të ndryshëm dhe për këtë shkak është vendosur masa e sigurisë për akuzën e “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
Vrasja e Regis Runaj, në 29 korrik 2019 është vlerësuar në gjykatën e Posaçme SPAK, si një nga ngjarjet më të rënda dhe më makabre, të kryera nga grupi i Erjon Alibej dhe Nuredin Dumanit. Kjo pasi trupi i të riut Runaj, është masakruar me mbi 100 goditje thike, duke lënë i pajetë mes një pellgu gjaku. Runaj, është vrarë para derës së një Teqeje Bektashiane në Elbasan, teksa udhëtonte me motor së bashku me Euglen Halilin. Urdhërin e vrasjes së Runaj e ka dhënë Erjon Alibej (Krymi), i cili ka paguar Xhuljano Hoxhën me 30 mijë euro. Ndërsa pjesëmarrës në krim është dhe Euglen Halili. Halili u shpall fajtor dhe u dënua për këtë vrasje dhe ekzekutimin e Emiljano Ramazanit me burgim të përjetshëm. Por për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të SPAK, ai është dënuar përfundimisht me 17 vite burgim. Ndërsa personi tjetër Xhuliano Hoxha, është deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm.
Masakrimi me mbi 100 goditje thike i Regis Runaj, kishte ardhur vetëm pas dyshimeve të Arjan Spahisë, se Runaj dhe Emiljano Ramazani, kishin ndjekur në disa momente në Elbasan, Arjan Spahinë. Runaj po ashtu ishte edhe djali i dajës së Mikael Qoses, alias “Keli i Kicit”, lidhje shumë e ngushtë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja.