Pas 2022-t, kur kriza e energjisë arriti kulmin dhe zhyti kompanitë e energjisë në një humbje prej rreth 240 milionë euro, viti që lamë pas duket se ka shënuar një panoramë krejt të ndryshme. Situata më e mirë hidrike ku prodhimi neto i energjisë shënoi nivelin 8.80 TWh lehtësoi gjithë zinxhirin e kompanive publike teksa ishin eksportet ato që dominuan mbi importet.
Të dhënat zyrtare për tre kompanitë publike të energjisë nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), tek OSHEE Group dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) tregojnë për një fitim prej 22.5 miliardë lekë apo 225 milionë euro.
“Gjatë vitit 2023, sektori energjetik ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm të performancës financiare, si rezultat i:(i) përmirësimit të situatës meteorologjike në vend dhe si rrjedhojë, (ii) e rritjes së prurjeve në kaskadën e Drinit, që ka rritur nivelin e prodhimit të energjisë vendase nga KESH sh.a përgjatë 2023. Konkretisht, niveli i basenit të Fierzës deri në muajin Dhjetor 2023 ishte në kuotën 284.5 metra, me një nivel më të lartë sesa kuota mesatare e 30 viteve të fundit për të njëjtën periudhë, prej 277.5 metra” thuhet në buxhetin faktik.
Peshën kryesore në këtë fitim duket se e mban Korporata Elektoenergjetike Shqiptare e cila falë situatës së mirë hidrike ka arritur të sigurojë të ardhura në vlerën e 41 miliardë lekëve apo rreth 410 milionë euro por edhe të reduktojë ndjeshëm shpenzimet të cilat në vitin e krizës 2022 u dominuan nga importet me çmime ekstreme. Këto shpenzime ishin në vitin 2022 rreth 630 milionë euro teksa në vitin 2023 ishin 55 për qind më të ulëta. Fitimi i kompanisë në vitin 2023 llogaritet në rreth 135 milionë euro.
Kompania e shpërndarjes OSHEE Group e cila ka nën vete tre kompani bija ka shënuar një nivel prej 74.7 miliardë lekësh apo 747 milionë euro teksa fitimi për vitin 2023 është llogaritur në 4.64 miliardë lekë apo rreth 46 milionë euro.
Kompania e tretë, ajo e transmetimit OST kishte vitin e shkuar 12.3 miliardë lekë të ardhura, thuajse në të njëjtin nivel si në vitin 2022. Shpenzimet nga ana tjetër u ulën me 32 për qind në vitin 2023 në raport me vitin 2022 duke shënuar një nivel prej 7.9 miliardë lekësh. Fitimi i kompanisë llogaritet në 4.37 miliardë lekë apo rreth 43 milionë euro thuajse 10 herë më shumë se një vit më parë kur kostot u rritën edhe për OST për shkak të importeve të kushtueshme që shkojnë për mbulimin e humbjeve në transmetim.
Në buxhetin faktik 2023 nënvizohet se risku fiskal i sektorit ka ardhur në ulje. “Në terma të riskut fiskal, ndikimi i sektorit si kosto financiare apo të ardhura të munguara në financat publike për vitin 2023, vlerësohet rreth 5.3 miliardë LEK nga rreth 33 miliardë LEK në vitin 2022, duke treguar një përmirësim të gjendjes së detyrimeve.
Kjo situatë është ndikuar nga kushtet e favorshme atmosferike që rritën ndjeshëm nivelin e prodhimit të energjisë vendase nga KESH sh.a. Projektet e investimeve me financim të huaj për sektorin e energjisë për vitin 2023 u miratuan në nivelin 2 miliardë LEK sipas buxhetit fillestar të miratuar me Ligjin nr.84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe nuk pësuan rishikime gjatë vitit buxhetor” thuhet në raport./MONITOR