Në rrugët e brendshme të lagjeve të Alliasit në Tiranë këto ditë të nxehta vere plehrat qëndrojnë me ditë pa u grumbulluar duke mbuluar koshat dhe hapësirën rreth tyre. Familjet pranë kanë hedhur klor rreth rrotull për të evituar toksicitetin, teksa era e rëndë e mbetjeve është kudo.
Edhe në lagjet e rreth qendrës së Tiranës plehrat qëndrojnë në pirgje gjithë ditën duke kulluar lëngje ndotëse dhe aroma të rënda, në sytë dhe këmbët e turistëve. Në vitet më përpara disa makina fshinin dhe lanin bulevardet kryesore të Tiranës, por ato nuk dalin më.
Nga ana tjetër pagesat buxhetore për inceneratorin e Tiranës janë duke u rritur progresivisht. Vetëm në periudhën janar-24 korrik 2024 janë çelur nga buxheti i shtetit 700 milionë lekë si pagesa për Integrated Energy BV SPV, kompaninë që menaxhon inceneratorin.
Të dhënat e thesarit që u gjeneruan nga Open Data Albania tregojnë se që nga fillimi i vitit deri me datën 18 korrik ndaj inceneratorit që tashmë administrohet nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara janë kryer rreth 36 transaksione me një shumë që kalon 6.9 milionë eurosh. Kjo vlerë përfaqëson pagesat nga bashkitë e Tiranës, Kamzës, Durrësit dhe Kavajës për transportin e mbetjeve në landfillin e Sharrës.
Teksa çështja e inceneratorit ka marrë përmasat e një investimi korruptiv që ka çuar pas hekurave të burgut një seri zyrtarësh të lartë, në anën tjetër Tirana, Durrësi janë në një emergjence mjedisore, pasi mosfunksionimi i inceneratorit ka çuar menaxhimin e mbetjeve në pikën fillestare.
Sipas të dhënave nga bilanci më 2022 kompania që menaxhon inceneratorin, Integrated Energy BV SPV siguroi një fitim prej 685 milionë lekësh. Norma e fitimeve para taksave ishte 41 për qind, ndërsa në vitin 2021 ishte 48%.
Sakaq transporti i plehrave nga Kavaja dhe Durrësi drejt Tiranës i ka vënë bashkitë bregdetare në vështirësi, pasi po çojnë për shërbimet e pastrimit pjesën më të madhe te të ardhurave të veta teksa në horizont nuk ka asnjë zgjidhje të re për çështjen e menaxhimit të mbetjeve në zonën me të populluar të vendit.
Në vitin 2023 Bashkia e Kavajës dhe ajo e Durrësit çuan 27 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për pastrimin e mbetjeve, dhe kishin peshën më të lartë të shpenzimeve për këtë zë nga të gjitha bashkitë e tjera.
Megjithë shpenzimet e larta qytetet kryesore te vendit Durrësi dhe Tirana tani në kulmin e sezonit turistik janë të mbytura kudo nga plehra, të cilat po shndërrohen në armikun më të madh të turizmit dhe po ndikojnë në uljen e cilësinë se jetës për banorët./Monitor