Edhe pse fokusi kryesor në seancën e ditës së djeshme ishin ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat kaluan me një dakordësi të gjerë mes PS dhe PD, me 105 vota pro, dhe 2 kundër, deputetët votuan në mbledhjen e fundit të këtij sesioni parlamentar, një sërë ligjesh të tjera të rëndësishme.
Me shumicë absolute votash, 110 pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u votua projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Europiane të investimeve për linjën hekurudhore Vorë – Hani i Hotit – Porta Globale”.
Po ashtu me 72 vota pro, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin “Për disa ndryshime në ligjin nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë””, i ndryshuar dhe me 103 vota pro u miratua Projektligjin “Për miratimin e rezolutës nr. 265 “Rritja e fondit të kapitalit të autorizuar dhe regjistrimi/nënshkrimi në të” të vitit 2023 të Bordit të Guvernatorëve të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)”.
Ndërkohë me 74 vota pro dhe me 24 vota kundër dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin“Për Policinë e Shtetit”. Ndërsa me 78 vota pro dhe 21 vota kundër u miratua Projektligj “Për miratimin e Planit Afatgjatë të Zhvillimit të Forcave të Armatosura 2024-2033”.
Kuvendi miratoi gjithashtu me 97 vota pro dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë” dhe me 76 vota pro dhe 15 vota kundër projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër”.
Projektligji “Për rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, u miratua me 77 vota pro dhe 19 vota kundër. Ndërsa projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, u miratua me 76 vota pro dhe 18 vota kundër.
Për projektligjin “Për miratimin e Strategjisë Ushtarake të Republikës së Shqipërisë”, deputetët votuan me 76 vota pro dhe 20 vota kundër.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, u miratua me 76 vota pro dhe 20 kundër.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 78/2020 “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës”, u u miratua 75 vota pro dhe 21 vota kundër. Ndërsa projektligji “Për një ndryshim në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë”, u miratua me 94 vota pro dhe 1 votë kundër.
Kuvendi miratoi me 78 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9636, datë 6.11.2006, “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, i ndryshuar dhe me 75 vota pro dhe 15 vota kundër u miratua projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 35/2023 “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.
Gjithashtu Kuvendi miratoi sot edhe projektvendimin “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS” me 76 vota pro dhe 3 vota kundër. Kryetari i këtij Komisioni, nga radhët e opozitës, Ervin Salianji, paralajmëroi se gjetjet e tyre do të dërgohen në Prokurorinë e Posaçme, pasi nuk morën mbështetjen e shumicës në Kuvend.