Oligarkët nën hijen e qeverisë, nuk paskan të ngopur. Ata po zhvasin taksat e qytetarëve për investime luksi, ndërsa së fundmi kanë shigjetuar edhe zonat rurale për t’u marrë dhe pikën e fundit të ujit.
Për këto investime, në fillim u grabit toka, ndërsa tani po tentohet me çdo kusht që banorëve të zonës t’u merret dhe ato pak rezerva uji që kanë grumbulluar me kursim në depozita për të përballuar verën. Rasti i paprecedentë, u shënua jo më larg se dje në fshatin Dukat i Vjetër që vendoset në afërsi të tunelit të Llogarasë në Vlorë.
Disa roje dhe punonjës të firmës “Gjikuria” “miq” të “Green Coast” të Samir Mane, kanë kërkuar të marrin me forcë ujin nga burimi i fshatit por janë përballur me banorët e kësaj zone dhe njërin prej tyre e kanë dhunuar barbarisht, respektivisht banorin e identifikuar me emrin Petrit Gjoni.
Kujtojmë se kompania e “Gjikurisë” “Coast to Coast” e drejtuar nga Xheni Gjikuria refuzon t’i kthejë shtetit shqiptar paratë që ka marrë për një bujtinë në zonën e Dhërmiut. Kjo kompani ka ndërruar disa herë ortak, ndërsa është themeluar në vitin 2009 nga Florenc Gjikuria dhe Jorgji Ruci.
Policia me heshtjen u ka dalë në krahë punonjësve të firmës, ndërsa banori “luftoi” me jetë për të mbrojtur ujin me rezerva të pakta që furnizon gjithë fshatin, por nuk plotëson dot as nevojat për konsum.
“Green Coast” e ka hapur rrugën deri te burimi, pavarësisht se punimet janë kryer në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Llogarasë. Këto kompani i kanë zënë tokat pa leje dhe për të rregulluar resortet e veta, po vetë kanë marrë tnderat e rrugëve e ujësjellsave.
Ligji i ri për Zonat e Mbrojtura ka dështuar dhe po masakron edhe Parqet Kombëtare. Devijimi i lumit Shushica, gjithashtu rrezikon ta thajë plotësisht pjesën e sipërme të tij gjatë verës, që përdoret nga banorët për vaditje tokash, për bagëtitë, etj.
Ky devijim bëhet për të furnizuar me ujë investimet strategjike dhe resorte në Himarë ndërkohë që prek jetën e banorëve të 30 fshatrave. Me këtë secili shqiptar mund të kuptojë se sa e kotë ishte propaganda me shpalljen Park Kombëtar të Vjosës, kur një vit më vonë do hiqnin mbrojtjen të gjithë Parqeve Kombëtare.
Ky akt i parë në shërbim të resorteve dhe jo të banorëve dhe mbrojtjes së Parkut Kombëtar Vjosës, tregon qartësisht cili do jetë fati i gjithë zonave të mbrojtura nëse nuk i ndalim në këtë masakër mjedisore.
View this post on Instagram