Sot edhe nesër në Kuvend parashikohen të mbahen dy seanca maratonë parlamentare, të cilat do të jenë me një axhendë të ngjeshur, për shkak se deputetët më pas do të marrin më shumë se një muaj pushime, për t’u rikthyer në sesionin e ardhshëm parlamentar në muajin Shtator. Një prej debateve më të mëdha që pritet në Kuvend, është ai për paktin e arritur mes PS-PD për Reformën Zgjedhore, i cili i lë pothuajse të mbyllura listat, ndërkohë që pikëpyetje ka dhe për mekanizmat që do të ndiqen për votën e diasporës.
Në rendin e ditës për seancën e sotme pritet të miratohen emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës.
Sot po ashtu pritet që të miratohet projektvendimin për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi.
Gjatë seancës së sotme plenare janë parashikuar të mbahen edhe dy interpelanca. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa do të zhvilloj interperlancë me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Po ashtu deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave Ervin Mete.
Në rendin e ditë është parashikuar edhe miratimi i projektrezolutës për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve të tjera që raportuan në Kuvend seancën e 18 korrikut.