Xhaxhai i Aleks Nikës, një nga viktimat e ngjarjeve të 21 Janarit, ka shprehur besimin e tij në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) pas dëshmisë së tij. Ai deklaroi se SPAK ka rinisur hetimet dhe ka premtuar respektimin e procedurave ligjore.
“Kasetën e ka Artan Hoxha dhe do ta dorëzojë në SPAK. Pame se SPAK rinisi hetimet dhe premtimi është që do respektohen procedurat. Ne kemi dhënë fakte të tjera më parë në Prokurorinë e Tiranës. Unë them se siç ka nisur hetimit, çështjen do ta çojë deri në fund. Nuk ka ndikime politike dhe do ta zbardhë çështjen deri në fund,” tha ai.
Ai theksoi se ishte thirrur për kasetën që Artan Hoxha është i gatshëm ta dorëzojë. “Pamjet do të grupohen dhe do t’i jepen SPAK-ut. Sot trajtuam edhe anën teorike sepse ka probleme në procedurën penale, lidhur me parashkrimet. E ngrita si shqetësim. Kërkojmë hetim për zinxhirin komandues. Nuk kishte vullnet politik, ishte një krim shtetëror,” shtoi xhaxhai i Aleks Nikës.
Në përfundim, ai kërkoi hetimin e komandës së Gardës, kryeministrit të kohës dhe ministrit, duke nënvizuar se kërkohet një hetim i plotë për të zbardhur të gjithë zinxhirin komandues dhe për të dhënë drejtësi për ngjarjet e 21 Janarit.