Prokuroria e Posaçme ka komunikuar akuzat ndaj 12 personave të përfshirë në hetimin për inceneratorin e Tiranës, lidhur me masat e para që u caktuan për këtë dosje në dhjetor të vitit të kaluar. Burime të sigurta konfirmojnë se akuzat janë për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim.
Hetimet janë përfunduar për individët që kanë marrë pjesë në procedurat deri në lidhjen e kontratës koncesionare. Komunikimi i akuzave është bërë për shkak se afatet hetimore për veprën penale po përfundojnë. Midis personave të akuzuar janë ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola dhe Jetmir Llapaj.
Ndërkohë, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako, ende nuk i është komunikuar akuza, për shkak se gjatë hetimeve janë zbuluar fakte të reja që krijojnë dyshimin për korrupsion.
Një pjesë e personave të akuzuar u arrestuan më 8 dhjetor 2023, ndërsa të tjerët patën masa më të buta sigurie. Në kërkim janë shpallur Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Erjon Murataj. Akuzat fillestare përfshijnë korrupsionin, mashtrimin, pastrimin e parave dhe shpërdorimin e detyrës.
SPAK ka hetuar kontratën e koncesionit të datës 31 gusht 2017, e lidhur midis Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV”, ku aksionare është edhe shoqëria “Integrated Technology Services” në pronësi të Klodian Zotos. Sipas SPAK, Zoto dhe Mërtiri janë personat e vërtetë që qëndrojnë pas koncesionarit.
Prokuroria ka zbuluar se këta individë kanë përdorur persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët e tyre si pronarët e vërtetë të inceneratorit, duke përfituar qindramijëra euro përmes faturave tatimore të falsifikuara. Shtatë anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit i kanë favorizuar këto shkelje, duke kontribuar në përfitimin e padrejtë të fondeve publike.
SPAK sekuestron 150 milionë euro asete
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka reaguar ndaj akuzave që pretendojnë se institucionit që ai drejton i diktohet një agjendë...