Kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba raportoi me një neglizhencë provash në Kuvend për veprimtarinë vjetore të këtij institucioni.
Ndërsa prej kohësh emri i tij po qarkullon në skandale lidhur me kompani që keqpërdorin të ardhurat e qytetarëve me shërbime minimale, Biba e vuri fokusin te mungesa e stafit.
Sipas tij, gjatë gjithë vitit nuk ka mundur të hetojë të gjitha tregjet me justifikimin se mungon stafi.
Kjo deklaratë ka ngjallur debat në sallë. Ndërkohë, Biba harron se lejimi i përqendrimeve të shërbimeve në duart e pak kompanive po krijon hapësira për abuzim në dëm të interesit të qytetarëve.
Po ashtu ai refuzoi të arsyetohet sa i takon kompanive që nuk presin kupon tatimor, si dhe abuzojnë me çmimet edhe pse çmimi i dapit, nitratit dhe uresë ka rënë në tregjet e huaja.
Ky ishte një nga problemet për të cilën edhe deputeti socialist, Erion Braçe shprehu indinjatë.
“Unë e quaj të tepërt që të vazhdoni të jeni në detyrë. Jo vetëm ju si drejtues, por i gjithë bordi i autoritetit të Konkurrencës, ju jeni kot atje”, tha ai
Pas raportimit të Bibës, deputetja Jorida Tabaku, ka kritikuar sjelljen e këtij institucioni duke u shprehur se nuk mbron shqiptarët nga monopolet dhe oligopolet, por i promovon ato.
Tabaku, njëkohësisht edhe anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, iu drejtua shqiptarëve duke i pyetur se cila është arsyeja që paguajnë më shumë për celularët, ushqimet dhe siguracionet?
Sipas saj, e gjithë kjo vjen sepse qeveria nuk bën detyrën e saj dhe se Autoriteti i Konkurrencës ka reshtur së kryeri punën.