Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka pasur disa reagime të ashpra ndaj çështjeve të ngritura nga deputetët e opozitës në seancën plenare të Kuvendit. Duke iu përgjigjur akuzave dhe shqetësimeve të ngritura, Balla preku disa tema kryesore, përfshirë tregtinë në dyqanet e burgjeve, përdorimin e internetit nga të burgosurit, procedurat e lehtësuara për ndërtimet e vogla dhe masat kundër dhunës me bazë gjinore.
Në një koment mbi dyqanet e burgjeve, Balla tha: “Unë e kuptoj që dyqanet e burgjeve kanë qenë një biznes i mirë, i madh, madje vendi më i kërkuar në Shqipëri, dikur, ishte shitës te dyqani i burgut. Nuk ekziston më ky biznes, dyqani i burgut, sepse teknologjia dhe koordinimi mes institucioneve ka bërë të mundur që kjo gjë të eliminohet.” Ai shtoi se ende ka shumë për të përmirësuar lidhur me kontrollin, sidomos përsa i përket përdorimit të internetit nga burgjet dhe aktivitetet kriminale që mund të rezultojnë prej tij.
Duke iu referuar shqetësimeve për procedurat policore ndaj ndërtimeve të vogla, Balla sqaroi se procedura është lehtësuar ndjeshëm. “Është lehtësuar procedura, thjesht një njoftim, për të rregulluar një avlli. Dhe këtu u flas qytetarëve, nuk po ju flas juve, sepse ju nuk keni nevojë për avlli! Por për të riparuar një çati apo diçka tjetër, është thjesht një njoftim,” tha ministri.
Sa i përket gjobave të Rrugores, Balla theksoi se ato synojnë mbrojtjen e jetës së qytetarëve. “Unë jam partizan i këshillimit. Por kur e bën bozë, natyrshëm që ka disa masa që policia duhet t’i marrë,” tha ai.
Në një replikë me deputeten demokrate Vokshi, Balla vuri theksin tek rëndësia e trajtimit të dhunës me bazë gjinore. “Përpara se të flasim për dhunën me bazë gjinore në territor, të merremi me dhunën në Kuvend. Është keqardhje e madhe që një deputete merr fjalën, e para se të mbështesë përpjekjet e gjithë aktorëve… ajo që ka ndodhur ditën e hënë nga grupi juaj parlamentar (PD) është një turp i madh,” tha Balla. Ai apeloi për një bashkëpunim më të ngushtë midis grave dhe vajzave të Kuvendit për të adresuar dhunën me bazë gjinore, duke e cilësuar këtë çështje si një shqetësim që tejkalon ndasitë politike.