Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, me opozitën që përsëriti kërkesën e bërë dhe në mbledhjen e kryetarëve, për të bërë një mocion me debat, për fondet në Bujqësi. Më shumicë votash socialistët rrëzuan kërkesën, me pretendimin që ende nuk është bërë i ditur dokumenti zyrtar për këtë çështje.
“Nuk po propozoj datë. Por po them deri në daljen e një dokumenti zyrtar nuk mund ta zhvillojmë. Nuk ka dalë raporti, është konfindencial”, tha Nikolla.
Ndërkohë, Bardhi reagoi ashpër, duke lëshuar akuza nga vendi i tij, ndërsa akuzoi kryeparlamentaren se po shkelte rregulloren e Kuvendit.
Bardhi në hapje të seancës parlamentare, ka kërkuar zhvillimin e mocionit me debat për vjedhjen e fondeve të IPARD II, në shumën e 33 mln eurove. Sipas Bardhit, ky është fakt, pasi zyra e mashtrimit në BE, OLAF e ka zyrtarizuar raportin e tij dhe nuk është as aludim, e as thashetheme, siç e quajtën ministra të qeverisë.
‘Ministrinë e Bujqësisë e kanë shpallë skenë krimi dhe nuk ka një përgjigje nëse e kanë marrë apo jo raportin e OLAF për vjedhjet e 33 milionë eurove të fondeve të IPARD II dhe bllokimin e projektit IPARD III. Fakti është se raporti është përfundimtar, dhe mocioni me debat i kërkuar nga grupi parlamentar i PD-së bazohet në një njoftim zyrtar të OLAF në BE.
Asnjë e dhënë e shkruar në kërkesën për mocion me debat, nuk është as thashetheme, as aludim siç e quajti qeveria dokumentin e OLAF, por është dokumenti zyrtar që vetë ky mekanizëm kontrolli në BE ka bërë zyrtarisht publik.
Në këtë raport theksohet se pas denoncimit të rasteve pranë zyrës, është vrenjtur se nga Republika e Shqipërisë, institucionet përgjegjëse është abuzuar me fondin e dhënë për programin e IPARD II në vlerën e 33 milion eurove, dhe për pasojë ky fond konsiderohet i papërshtatshëm dhe i sugjerohet Komisionit Europian të pezullojë dhënien e fondit të programit të ri, IPARD III në vlerën e 112 milionë euro, para që do të duhej të shkonin në ndihmë të fermerëve shqiptarë deri sa të merren masat, apo përcaktohen mekanizmat e duhur ligjor për të mbrojtur interesat financiare të BE-së.
Me vullnetin e mirë, opozita i shtriu dorën mazhorancës, jo qeverisë, sepse qeveria është shpallur skenë krimi, që të bëhemi të gjithë bashkë të analizojmë gjetjet e raportit OLAF dhe të miratojmë çdo masë të nevojshme ligjore në bashkëpunim dhe me BE, me qëllim që të zhbllokohet fondi prej 112 mln euro.
Nëse do ta përdornim për politikë, ne do ta drejtonim vetëm gishtin tek qeveria dhe nuk do të ofronim asnjë mënyrë dalje’, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Ndërkaq, Bardhi iu drejtua deputetëve të PS-së, nëse duan të zhbllokojnë 112 milionë eurot e dhëna nga BE-ja për fermerët, apo jo.
‘Tani, pyetje që unë kam, doni ti mbani të bllokuara ju fondet e BE-së? Janë 112 mln euro që janë vënë në dispozicion Shqipërisë, për të ua dhënë fermerëve, qytetarëve shqiptarë. A është ky interesi i të gjithëve ne pa asnjë dallim politik. Ku është e keqja e kërkesës së opozitës në këtë rast?
Kolegët në konferencën e kryetarëve thonin të presim të përfundojë hetimet. Por prokuroria në inceneratorin e Tiranës, që ka përfituar edhe nga ky fond prej 33 mln eurosh, për të ndërtuar serë, e kemi kallëzuar në vitin 2020 dhe ende në 2024 nuk ka përfunduar.
Do të hetojmë 4 vite sa të hetojë SPAK dhe të gjejë përgjegjësit që kanë abuzuar, që ne rtë marrim masat ligjore për të zhbllokuar fondet. Jo të nderuar kolegë, SPAK të hetojë abuzimet, dhe kush ka përgjegjësi të shkojë në burg, detyra jon është që këto fonde që i kemi miratuar në parlament ti bëjmë efektiv një orë e më parë’, tha gjatë fjalës së tij, Gazment Bardhi.
Ndërkohë që socialisti Bledi Çuçi tha se nuk mund të bëhet një mocion me debat për këtë çështje, sa kohë që raporti i OLAF është ende konfidencial.
“Në lidhje me mocionin me debat dhe rezolutën e propozuar nga PD, ne kemi pasur një qëndrim të qartë në konferencën e kryetarëve. Jemi dakord që të zhvillojmë debat për një çështje kaq të rëndësishme që lidhet me zhvillimin e një sektori jetik si bujqësia. Pikërisht në mbrojtje të interesit të fermerëve dhe në përpjekjet që po bën qeveria për të zhbllokuar ato milion euro që i janë dedikuar Shqipërisë, kemi thënë që është i parakohshëm një debat përderisa raporti i olaf është konfidencial.
Ka vetëm një paragraf ku përmenden shtet që ka shkelje të procedurës lidhur me fondet e BE. Raporti me të gjitha gjetjet dhe parregullsitë është ende konfidencial. Pasi ky proces dhe përpjekja e qeverisë për të zhbllokuar fondet të realizohet, që të mos minojmë përpjekjen duhet ta bëjmë këtë debat më pas. Jemi të hapur për debat, por në momentin e duhur”, u shpreh Çuçi në përgjigje të Bardhit.