Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se aktualisht janë aktive katër vatra zjarri në të gjithë territorin e vendit, duke shkaktuar shqetësime të mëdha për banorët dhe pasurinë e tyre.
Një nga situatat më problematike është në Balgjaj, në fshatin Kurdari, ku zjarri kërcënon një stan me bagëti dhe dhjetëra koshere bletësh. Forcat operacionale, të koordinuara nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, janë në terren duke mbajtur situatën nën kontroll për të shmangur rrezikun për banorët dhe pronën e tyre.
Në fshatin Madhesh, njësia administrative Ulëz në Mat, zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe po avancon drejt fshatit Stojan. Përveç forcave operacionale në terren, është dërguar në ndihmë edhe një helikopter #Cougar për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.
Vijon gjithashtu operacioni për shuarjen e zjarrit në Buza Dede mbi fshatin Gurë-Lurë, ku flakët janë afruar pranë liqeneve të Lurës. Ndërhyrja e shpejtë është thelbësore për të mbrojtur këtë zonë natyrore të rëndësishme.
Era e fortë ka vështirësuar aksionin për shuarjen e zjarrit edhe në zonën midis malit të Xhyrës dhe njësisë administrative Qukës në bashkinë e Prrenjasit. Ekipet operacionale janë shpërndarë në grupe për të krijuar një perimetër mbrojtës dhe për të fikur çdo aktivizim të ri të zjarrit.
Të gjitha forcat operacionale janë mobilizuar dhe po punojnë intensivisht për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të siguruar që zjarret të mos përhapen më tej. Ministria e Mbrojtjes thekson rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit për të përballuar këtë emergjencë mjedisore.