Policia e Kukësit ka arrestuar pesë persona të akuzuar për përkrahjen e autorit të vrasjes dhe plagosjes së dy shtetasve të tjerë në një lokal në fshatin Breg-Lumë, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e djeshme. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, shtetasi S. S., 40 vjeç, plagosi me mjete prerëse shtetasit V. P., 32 vjeç, Sh. K., 45 vjeç, dhe vëllanë e V. P., shtetasin A. P., 24 vjeç, i cili humbi jetën në spital për shkak të plagëve të marra.
Incidenti ndodhi më datë 11 Korrik 2024, rreth orës 17:00, për motive të dobëta. Policia, në kuadër të hetimeve intensive, ka identifikuar dhe vënë në pranga pesë persona të dyshuar për përkrahjen e autorit të krimit:
– **A. Q., 39 vjeç**, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
– **Xh. M., 31 vjeç**, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzimi i krimit”;
– **A. Sh., 34 vjeç**, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
– **A. B., 29 vjeç**, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
– **J. K., 34 vjeç**, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Ndërkohë, Policia vijon intensivisht kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit S. S., autorit të dyshuar të ngjarjes. Dy personat e plagosur, V. P. dhe Sh. K., po marrin trajtim mjekësor dhe gjendja e tyre vijon të monitorohet nga mjekët.
Hetimet janë duke u kryer nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, me qëllim dokumentimin e përgjegjësisë penale të secilit prej të arrestuarve me prova ligjore. Materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.