Policia e Durrësit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Precedenti”, duke arrestuar në flagrancë një 33-vjeçar që lëvizte i armatosur me pistoletë në lagjen nr. 11 të qytetit. Shtetasi A. B., banues në Tiranë, u kap në hyrje të një pallati ku gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri me krehrin dhe 9 fishekë, të cilën e posedonte pa leje.
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore. Pas verifikimeve, u konstatua se A. B. ishte në kërkim nga Policia e Tiranës për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. Policia e Durrësit vijon kontrollet intensive për të goditur rastet e armëmbajtjes pa leje dhe për të rritur sigurinë në komunitet.