Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e opozitës për ligjin e kundërshtuar nga Partia Demokratike lidhur me Komisionet Hetimore. Në njoftimin e bërë publik në faqen zyrtare të GJK-së, sqarohet se asnjë nga shkeljet procedurale të pretenduara nuk është argumentuar në drejtim të cenimit të normave kushtetuese, megjithatë Gjykata vendosi pranimin pjesërisht të kërkesës. Kështu i ka lënë 6 muaj kohë Kuvendit të Shqipërisë që të reflektojë në ligj rekomandimet e saj. Në padinë e dorëzuar, Kushtetuesja ka gjetur boshllëk ligjor lidhur me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”. Kjo pikë, sipas Kushtetueses cënon të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor.
“Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare,”-shkruhet në njoftim. “Probleme” janë gjetur edhe në nenin nr.7 që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave. Kjo pikë, nuk ofron garanci ndaj opozitës për të ushtruar kontroll në Parlament.
“Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese.”
E paarsyeshme është konsideruar edhe fakti që deputetët, anëtarë të Komisioneve Hetimore, duhet të marrin leje nga Prokuroria ose nga Gjykata për të marrë në pyetje dëshmitarët, ose faktin që një dëshmitari i jepet e drejta që të refuzojë të japë llogari para Kuvendit. Kjo pikë, nuk ka një formulim të qartë, pasi për Kushtetuesen, nëse qëllimi është ruajtja e sekretit hetimor, kjo mund të ndodhë duke pyetur dëshmitarët me dyer të mbyllura. Praktikë kjo që është ndjekur nha Komisioni Hetimor për të dhënat e sistemit TIMS, për shkak se çështja ka lidhje me sigurinë kombëtare.
Dhe e fundit pikë ku Kushtetuesja nuk pajtohet me ligjin e kaluar me votat e maxhorancës është marrja e provave pa pjesëmarrjen e publikut, që sipas saj është e pajtueshme me normat kushtetuese. Në këto kushte, për Gjykatën Kushtetuese cënohet e drejta për informim.
“Veprimtaria e komisionit hetimor duhet të jetë publike dhe vetëm përjashtimisht ajo mund të zhvillohet me dyer të mbyllura, kur të drejtat e njeriut prevalojnë në raport me të drejtën për informim.”