12 persona, mes të cilëve dhe shqiptarë janë vënë këtë të hënë në prangat e policisë italiane pasi akuzohen si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës. Raportohet se 10 prej tyre janë lënë në burg ndërsa 2 të tjerëve u është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ndërmjet viteve 2022 dhe 2023, duke filluar nga identifikimi dhe arrestimi më pas i disa tregtarëve të vegjël droge, njësia hetimore e Ternit kreu një hetim të detajuar që bëri të mundur gjurmimin e një organizate kriminale të përbërë nga shtetas shqiptarë, rumunë dhe italianë.
Ndërkohë përgjimet telefonike kanë bërë të mundur parandalimin e shitjes së disa sasive kokaine. Janë vëzhguar transporte të shumta lëndësh narkotike, me sasi të mëdha kokaine që subjektet e hetuar kanë arritur të fusin në zonën e Tërnit, edhe nga jashtë qarkut. Qarkullimi i provuar nga hetuesit rezultoi i konsiderueshëm, pra në rendin e disa kilogramëve kokainë në muaj.
“Koka” e grupit kriminal sipas autoriteteve, ishte një 42-vjeçar shqiptar, i identifikuar me inicialet E.O. Ky i fundit banonte në zonën e Borgo Rivo. Shtëpia e shqiptarit përdorej nga grupi për ruajtje, paketim dhe transferim tek bashkëpunëtorët. Pas kësaj fillonte shitja me pakicë.