Gjykata e Lartë ka vendosur që të jetë Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ajo që do të hetojë çështjen e “21 janarit”. Vendimi është marrë që më 12 mars, por është zbardhur i plotë ditën e sotme. Në vendimin e bërë publik për mediat, bëhet me dije se Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur dhe se institucionet duhet të zbardhin rrethanat e vdekjes së Aleks Nikës, familjarët e të cilit e kishin dërguar çështjen në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
“Gjykata e Lartë vendosi ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023”,“-shkruhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Kështu, Gjykata e Lartë i kërkon SPAK të regjistrojë procedim penal për ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-drejtuesin e Gardës, Ndrea Prendi. Në seancën e zhvilluar pak muaj më parë kishte dhe replika mes gjyqtarit Sokol Binaj dhe prokurorit që përfaqësoi SPAK në seancë, Alfred Shehu. Për të mbrojtur qëndrimin se SPAK nuk duhet ta hetonte këtë dosje, Alfred Shehu u shpreh se ende nuk kanë dalë subjekte të posaçme, ndaj nuk është kompetencë e tyre.
VENDIMI
Kolegji çmon të evidentojë – me këtë rast – se – në konformitet me përcaktimet e nenit 46 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut – Palët Kontraktuese (ku përfshihet edhe Shqipëria) – kanë detyrimin e konformimit ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës (GJEDNJ), në çdo çështje ku ato janë palë, përmes ekzekutimit të tyre. Një nga efektet e kësaj procedure është se në rastet kur GJEDNJ konstaton shkelje, shteti i paditur ka detyrimin ligjor jo vetëm për të paguar personave përkatës shumat e dhëna si shpërblim i drejtë, në bazë të nenit 41, por edhe për të zgjedhur masat e përgjithshme dhe/ose individuale më të përshtatshme që duhet të ndërmerren për t’i dhënë fund shkeljes së konstatuar nga GJEDNJ. Në këtë kontekst, Kolegji sjell në vëmendje se përsa i përket masave individuale dhe zbatimin e nenit 46 të Konventës, në paragrafin 178 të vendimit, është shprehur se, “Gjykata vëren se hetimi penal është ende i hapur. Duke pasur parasysh këtë, ajo konsideron se autoritetet duhet të vazhdojnë (për aq sa kjo është e mundur) përpjekjet e tyre që synojnë zbardhjen e rrethanave të vdekjes së A.N. dhe identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, aty ku është e përshtatshme.” Rrjedhimisht, duke mbajtur parasysh (edhe) konkluzionet e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të datës 14 Nëntor 2023 (çështja Nikaj kundër Shqipërisë), lidhur me zgjidhjen efektive dhe për forcën detyruese dhe ekzekutimin e vendimeve të kësaj Gjykate, edhe për këtë shkak, Kolegji konsideron se vendimet e gjykatave të posaçme (gjyqtarit për hetimet paraprake pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit) duhet të ndryshohen, duke u urdhëruar Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal, për kallëzimin e datës 16.02.2023, me qëllim kryerjen e hetimeve të mëtejshme, duke mbajtur në konsideratë edhe vendimmarrjen e mësipërme të GJEDNJ”.
PËR KËTO ARSYE,
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në konformitet me përcaktimet e neneve 291, pika 4 dhe 441, pika 1, shkronja “dh”, të Kodit të Procedurës Penale”
VENDOSI:
Ndryshimin e vendimit nr. 92, datë 21.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit nr. 107, datë 29.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – gjyqtarit për hetimet paraprake pranë asaj gjykate dhe zgjidhjen përfundimisht të çështjes, duke urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të regjistruar procedimin penal për kallëzimin e datës 16.02.2023”.
Çfarë ndodhi më 21 janar?
Një protestë e thirrur nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë doli jashtë kontrollit dhe do të përfundonte me vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës para Kryeministrisë, pas të shtënave me armë zjarri ng Garda e Republikës. Partia Demokratike, në qeveri do e cilësonte tubimin si grusht shtetit dhe krim shtetëror. Nga 2011 deri më sot, dosja e 21 janarit është ende në gjykatë. Në lidhje me ngjarjen u morën të pandehur Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Familjarët e viktimave prej 13 vitesh kërkojnë drejtësi ndërsa akuzat politike rishfqen para çdo fushate elektorale.