Federata e Opozitës është mbledhur sot në selinë e Partisë Demokratike (PD), ku u diskutua në lidhje me vijimësinë e aksionit opozitar. Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, bëri thirrje për një protestë masive më 11 korrik, duke denoncuar korrupsionin dhe keqqeverisjen e qeverisë aktuale.
“Ky takim mbahet për të përcaktuar vijimësinë e aksionit opozitar në ditët dhe javët në vazhdim dhe kryesisht për të bashkërenduar agjendën tonë me protestën më të madhe, me protestën më të fuqishme që do zhvillojmë ne së bashku më 11 korrik në ora 20 në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’,” tha Noka.
Noka theksoi se çdo shqiptar ka arsye të protestojë kundër situatës aktuale. “Sot çdo shqiptar ka arsye të protestojë. Sot çdo i ri dhe e re do ftohet në protestën e PD dhe opozitës së bashkuar,” u shpreh ai. “Sot çdo nëpunës, çdo mësues, çdo pensionist, çdo fermer, çdo i papunë ka arsye të pafundme për të bashkërenduar me ne dhe për t’iu bashkëngjitur agjendës së opozitës së bashkuar për të reaguar në protestë dhe në mosbindje ndaj këtij narkoregjimi që sot e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme.”
Noka gjithashtu kritikoi ashpër drejtësinë në vend, duke thënë se ajo është e kapur nga qeveria. “Sot çdo njeri që është përplasur në dyert e drejtësisë të quajtur të re, ka arsye të pafundme për të protestuar, sepse sot kemi një regji me drejtësi, një regji politike,” tha ai. “Sot do të protestojnë shqiptarët së bashku me ne dhe kanë arsye të pafundme për këtë drejtësi të kapur.”
Në fund të fjalimit, Noka ftoi të gjithë qytetarët të marrin pjesë në protestën e datës 11 korrik: “Ndaj detyra jonë është që këto ditë të ftojmë, të punojmë, të mos reshtim për të organizuar këtë protestë të datës 11 korrik. Kjo protestë do jetë nisja e një reagimi popullor që duhet të vazhdojë për të detyruar këtë regjim të lirojë liderin e opozitës si të vetmin të burgosur politik në Europë.”
Protesta e planifikuar synon të sjellë ndryshime të mëdha politike në vend dhe të kërkojë llogaridhënie nga qeveria për akuzat e korrupsionit dhe keqqeverisjes.