Sot është një ditë vendimtare për Fredi Beleri, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, teksa pritet vendimi përfundimtar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbi fatin e mandatit të tij. Beleri, i cili është zgjedhur në zgjedhjet e fundit lokale, ka mbërritur sot në KQZ për të dëgjuar vendimin që mund të ndryshojë kursin e karrierës së tij politike.
KQZ mbajti dje seancën në lidhje me vlefshmërinë për mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Shtyrja u bë pasi avokatja e Belerit kërkoi që kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës të ishte vetë i pranishëm në seancë.
Kujtojmë se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri fitoi në zgjedhjet e Parlamentit Evropian si pjesë e listave të Kyriakos Mitsotakis. Ai është dënuar me dy vite burg për korrupsion në zgjedhje, vendim të cilin e ka ankimuar në Apel pas dënimit nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës më 8 maj. Dyshimet ishin se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave.
Në 5 mars të këtij viti, Fredi Beleri u dënua me dy vite burgim nga GJKKO, duke u shpallur fajtor për veprën “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Bashkë me të, Pandeli Kokoveshi u dënua me një vit e gjashtë muaj burg, por dënimi me burg për të është pezulluar dhe ai do të qëndrojë tre vite në shërbim prove.