Flamur Noka, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Shqipërisë (PD), i ka dërguar një letër zyrtare ish-kryetarit të partisë, Lulzim Basha, duke i kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të adresave në rrjetet sociale (Instagram dhe Facebook) të PD-së. Letra, e datës 1 korrik 2024, vjen pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm që i dha vulën Rithemelimit.
Në letër, Noka thekson se vendimi certifikon ligjërisht shkarkimin e Bashës si kryetar i Partisë Demokratike dhe njohjen përfundimtare të organeve të reja drejtuese të partisë. Ai kërkon që Basha të caktojë përfaqësuesit e tij për dorëzimin e të gjitha aseteve të partisë brenda tre ditëve nga marrja e shkresës.
“Ju bëjmë me dije që administrimi i çdo aseti të PD-së që nga data 11.06.2024 është nën një monitorim të vazhdueshëm nga ana jonë dhe për çdo veprim mbi to, i cili bie ndesh me interesat e PD-së nga ana jonë do të bëhet kallzim penal në organet kompetente,” shkruhet në letrën e Nokës.
Letra gjithashtu paralajmëron për pasoja ligjore ndaj personave përgjegjës nëse nuk dorëzohen asetet e kërkuara. Kjo situatë shënon një tjetër kapitull të tensionuar brenda Partisë Demokratike, e cila ka përjetuar ndarje dhe konflikte të brendshme që prej shkarkimit të Bashës nga posti i kryetarit.
Drejtori i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të bankave dhe Komisioneri Shtetëror të Zgjedhjeve janë informuar gjithashtu për këtë vendim, duke u kërkuar të mos pranojnë më asnjë veprim nga ana e Bashës që lidhet me asetet e PD-së.
Me këtë letër, Partia Demokratike kërkon të sigurojë kalimin e plotë të kontrollit të aseteve të saj tek strukturat e reja drejtuese dhe të parandalojë çdo përdorim të mëtejshëm të tyre nga ish-kryetari Basha.