Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka komentuar skandalin e fundit në Spitalin Onkologjik gjatë një interviste në rubrikën Opinion në News 24, me moderatoren Ina Qirjo. Sula e quajti situatën “shokuese” dhe vuri në dukje se viktimat kryesore të këtij skandali janë shtresa më vulnerabël e shoqërisë, ata që nuk kanë mundësi të shkojnë në spitale private.
“Ata që shkojnë tek spitalet shtetërore janë persona të shtresës më vunerable, që e kanë të pamundur të shkojnë në spitale private,” tha Sula, duke theksuar se nuk duhet përgjithësuar fajësia për të gjithë mjekët. Ai përmendi një rast personal, kur nëna e tij u trajtua nga një mjek shumë i aftë dhe profesionist gjatë betejës së saj me tumorin.
Sula akuzoi se korrupsioni është kthyer në një sistem të institucionalizuar që prek çdo nivel të qeverisjes, përfshirë ministritë dhe sektorin privat. “Kudo ka bërthama kriminale, që zhvatin me të gjitha format dhe mënyrat, edhe në ministri ka bërthama që japin tendera,” tha ai. Deputeti vuri në dukje se paratë e korrupsionit përdoren për ndërtimin e kullave dhe përfitimin e pasurisë së paligjshme, duke shtuar se sistemi aktual penalizon njerëzit e ndershëm.
“Nuk ka vullnet politik për të ndryshuar gjërat. Është sistem, sepse shihet përfitimi, paraja, fuqia, e cila më pas me kohën blen edhe votën,” tha Sula. Ai theksoi se qeveria ka të gjitha mekanizmat për të parandaluar fenomenet negative, por mungon vullneti politik për të bërë ndryshime reale.
Sula gjithashtu foli për protestën ku mori pjesë dhe shprehu zhgënjimin e tij për indiferencën e disa qytetarëve. “Më erdhi keq që kishte qytetarë që shikonin protestën dhe sërish ecnin, sikur nuk ka ndodhur asgjë,” tha ai. Sula theksoi se opozita duhej të kishte ndërprerë seancën plenare në shenjë proteste ndaj situatës në Spitalin Onkologjik.