Kryeministri Edi Rama, gjatë një fjalimi para deputetëve socialistë, theksoi rëndësinë e garantimit të një shteti të harmonizuar që redukton hapësirat për korrupsion. Ai nënvizoi se ekziston një nevojë e madhe për të ndërtuar një mekanizëm shtetëror që minimizon ndërhyrjet subjektive njerëzore dhe ofron më pak mundësi për korrupsion.
“Nëse shohim diagnozën, ka një të vërtetë shumë të madhe, se sa nevojë ka akoma për të garantuar një shtet që është dhe mekanizëm i harmonizuar dhe që subjektiviteti njerëzor të gjejë shumë më pak hapësirë për të ndërhyrë dhe për ta ofruar korrupsionin si alternativë për ata që duan të marrin nga shteti shërbimin,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se detyra e qeverisë është të shtyjë përpara procesin e ndërtimit të një makinerie shtetërore të qëndrueshme, një makineri që Shqipëria nuk e ka pasur kurrë, por mund ta ketë brenda këtij 10-vjeçari nëse bashkohet me aftësi të gjithë agjendës së përcaktuar nga diagnoza. Rama theksoi rëndësinë e emrit të komisionit dhe se screening-u i ka dhënë kurajë për të parë potencialin e vendit.
“Shqipëria ka një administratë publike që ka një pjesë të bardhë, por ka edhe një pjesë të zezë, ku fatmirësisht sot arrin të merret drejtësia. Përfitoj nga rasti të falenderoj dhe të inkurajoj prokurorët e SPAK dhe me shpresë edhe të tjerë në prokuroritë e zakonshme që të bëjnë gjithçka që munden që ta zvogëlojnë përditë atë pjesën e zezë që është një turp kombëtar, turp shtetëror, turp popullor, turp për të gjithë,” përfundoi ai.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur qeveria është duke përballuar kritika për korrupsion dhe keqmenaxhim, duke synuar të përmirësojë sistemin administrativ dhe të rrisë besimin e publikut në shtet.