Pasi i dhanë vetes një javë pushim për të ndjekur ndeshjet e kombëtares shqiptare në Gjermani, Parlamenti pritet të rikthehet këtë javë nga puna, fillimisht me mbledhjen e komisioneve, dhe më pas me seancën plenare. Këto ditë të fundit të muajit Qershor, janë vendimtare për Reformën Zgjedhore, e cila zvarritet prej kohës, pavarësisht ndryshimit të opozitave përfaqësuese.
1 korriku është afati që socialistët dhe demokratët kanë për të depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimin e kodit elektoral, por palët në grupin e dialogut janë shfaqur të largët në qëndrimet publike.
Pritet për tu parë nësë ditët në vijim do të sjellin surpriza, apo do të ketë një tejkalim të afateve, që vetë palët kanë vendosur në tavolinë.
Seanca në Kuvend të hënën do të nisë në orën 14:00, ditë që përkon dhe me ndeshjen që Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të ketë përballë Spanjës, në përpjekje për të shkruar historinë, me kalimin e fazës së grupeve.
Në rendin e ditës nuk do të ketë diskutime për projektligje apo vendime që kërkojnë forcën e kartonit, por vetëm diskutime të deputetëve për problematikat në zonat e tyre. Por debatet duken të jenë të pashmangshme për shkak të disa zhvillimeve të rëndësishme të ditëve të fundit.
Pas vendimit të Apelit për Vulën e PD, demokratët po bashkohen rreth Berishës, ndërsa Basha po humb mbështetës në Sallë. Që para vendimit të Gjykatës, ata kanë kërkuar përfshirjen e Berishës si pjesë e grupit parlamentar të PD.
Seance parlamentare e së hënës do të jetë e para që do të mbahet pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e pjesshëm të rregullores së re të kuvendit ç’ka po ashtu pritet të jetë argument.