Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj raportit të fundit të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit dhe Korrupsionit të Fondeve të BE, OLAF, e cila ka identifikuar keqpërdorimin e 134 milionë eurove fonde të programit IPARD, që ishin dedikuar për ndihmën e bujqësisë shqiptare.
“Korrupsioni me fondet e BE-së për bujqësinë, siç raporton dhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF), është dëshmia e radhës se qeveria e Edi Ramës nuk është zgjidhja, por problemi i çdo shtrese të shoqërisë shqiptare,” deklaroi Basha. Ai kritikoi ashpër guximin e qeverisë për të abuzuar me fondet e BE-së, duke lënë pa mbështetje fermerët shqiptarë, dhe kërkoi një përgjigje të fortë nga drejtësia.
Basha inkurajoi Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të kryejë një hetim të thelluar mbi këtë skandal, që sipas tij, dëmton familjet fermere dhe pasuron klientët e qeverisë. “Ne mbështesim dhe inkurajojmë SPAK për një hetim të thelluar të këtij skandali, që dëmton familjet fermere dhe pasuron klientët e qeverisë. Shqipëria nuk meriton të jetë gazi i botës prej skandaleve të Edi Ramës,” shtoi ai.
Duke theksuar rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe mirëqeverisjes, Basha njoftoi angazhimet konkrete të partisë së tij për të siguruar që fondet e BE-së të përdoren në mënyrë të drejtë. “Angazhimet tona konkrete për të luftuar korrupsionin dhe siguruar mirëqeverisjen, do zhbllokojë 112 milionë eurot që BE ka pezulluar për shkak të korrupsionit të qeverisë aktuale, duke u’a kthyer ato fermerëve,” deklaroi Basha.
Ai gjithashtu prezantoi programin e tij për bujqësinë, duke premtuar mbështetje të përvitshme prej 100 milionë eurosh në subvencione të drejtpërdrejta dhe 50 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës për fermat dhe zhvillimin rural. “Me këtë paketë serioze, të hartuar nga ekspertët më të mirë vendas e të huaj, përfitojnë rreth 150 mijë familje fermere, të cilat do ndihmohen të dalin nga errësira, varfëria dhe stanjacioni i qeverisë Rama,” përfundoi ai.