Forcat izraelite goditën gjatë natës disa zona në pjesën qendrore të Rripin të Gazës, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët e shëndetësisë. Ndërkaq banorët thanë se forcat israelite zgjeruan sulmin e tyre me tanke në pjesën jugore të rajonit në Rafah.
Avionët izraelitë goditën një shtëpi në kampin Al-Nuseirat, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 12 të tjerë, ndërsa tanket bombarduan zonat në kampet Al-Maghazi dhe Al-Bureij, duke plagosur shumë të tjerë. Nuseirati, Maghazi dhe Bureiji, janë tre nga tetë kampet kryesore të refugjatëve në Gazë. Në Deir al-Balah, një qytet i mbushur me palestinezë të zhvendosur nga pjesë të tjera të territorit, si pasojë e një sulmi ajror izraelit të enjten u vra një palestinez dhe plagosën disa të tjerë, njoftuan zyrtarë të shëndetësisë.
Ushtria izraelite bëri të ditur të mërkurën se po vazhdon operacionet në të gjithë rajonin duke patur si objektiv militantët dhe infrastrukturën ushtarake. Sipas saj, operacionet e tyre janë “precize, të bazuara në informacione zbulimi”. Më shumë se tetë muaj që nga fillimi i luftës në Gazë, Izraeli është përqendruar tashmë në dy zonat e fundit që trupat e tij nuk i kishin pushtuar ende, në Rafah, një qytet në skajin jugor të rajonit, si dhe zonën përreth qytetit Deir al-Balahut në qendër të territorit. Operacionet kanë detyruar më shumë se një milion persona të largohen që nga muaji maj, shumica dërrmuese tashmë të zhvendosur nga pjesë të tjera të rajonit.
Në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin, tanket izraelite të vendosura thellë në zonat perëndimore dhe qendrore të qytetit, intensifikuan bombardimet, duke detyruar shumë familje të largohen drejt veriut. Disa banorë thanë se ritmi i bastisjes është përshpejtuar në dy ditët e fundit. Në këtë qytet strehoheshin mbi gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës deri më 7 maj, kur forcat izraelite filluan ofensivën tokësore ndaj Rafahut. Besohet se aty kanë mbetur tashmë më pak se 100,000 persona.
Përpjekjet ndërkombëtare, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara, nuk kanë arritur të bindin Izraelin dhe Hamasin të bien dakord për një armëpushim dhe aktualisht nuk ka shenja për një ndërprerje të luftimeve. Krahët e armatosur të Hamasit dhe Xhihadit Islamik thanë se luftëtarët e tyre i kishin sulmuar forcat izraelite me raketa antitank dhe mortaja dhe në disa zona kishin vendosur mjete shpërthyese me objektiv njësitë e ushtrisë izraelite.
Të enjten, autoritetet izraelite liruan 33 palestinezë të cilët ishin arrestuar gjatë muajve të fundit në zona të ndryshme të rajonit. Të arrestuarit e liruar u shtruan në spitalin Al-Aksa, në pjesën qendrore të Gazës, pasi ata u ankuan për tortura dhe keqtrajtime nga burgosësit izraelitë. Fushata tokësore dhe ajrore e Izraelit u nxit pas sulmit terrorist të 7 tetorit 2023 nga militantët e Hamasit, gjatë të cilit ata vrarë rreth 1200 persona e morrën peng më shumë se 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Si pasojë e ofensivës janë vrarë më shumë se 37,400 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë të kontrolluar nga Hamasi dhe pjesa dërrmuese e popullsisë është e pastrehë dhe në varfëri./ VOA