Gazeta europiane “Euro Weakly” ka shkruar për një fenomen aspak të këndshëm që e aplikojnë më së shumti shqiptarët.
Këta të fundit po preferojnë gjithmonë e më shumë Britaninë e Madhe dhe si zgjidhje kanë gjetur kalimin nga Spanja. Policia ndaloi dy shqiptarë në aeroportin e Almerias, të cilët planifikonin që të fluturonin drejt Britanisë së Madhe.
Zyrtarët arrestuan shtetasin shqiptar, 24-vjeçar, më 18 qershor gjatë një kontrolli kufitar. Ai paraqiti një pasaportë greke, e cila rezultoi se është e rreme.
Por ky nuk është arrestimi i vetëm që ka ndodhur nga policia kufitare, pasi është i lartë numri i shqiptarëve që largohen nga vendi i tyre, për të emigruar në mënyrë ilegale drejt vendeve të Europës, por edhe më larg akoma.
Një tjetër arrestim, i një tjetër shqiptari u krye nga policia në Almeria. Sërish Dublini ishte destinacioni i planifikuar. Policia tha se 40 vjeçari G.G kishte dorëzuar një pasaportë sllovene, e cila kishte një sërë problemesh. Edhe në raste të tjera janë sekuestruar nga policia pasaporta shqiptare dhe greke.
Sipas policisë, synimi i shqiptarëve është që të hyjnë në Britaninë e Madhe në mënyrë të paligjshme. Ata thanë se kishin kontaktuar fillimisht me organizatat kriminale të specializuara në trafikimin e njerëzve dhe prodhimin e kopjeve të dokumentave me cilësi të lartë. Ata pastaj fluturuan nga Greqia në Spanjë për të udhëtuar nga Almeria në Irlandë.