Mbërrin helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura në Shkodër. Ai do u vijë në ndihmë zjarrfikësve të Shkodrës për të shuar vatrën e zjarrit në tregun e rrobave të përdorura, i cili mori përmasa të mëdha duke shkrumbuar 25 njësi biznesi dhe një banesë. Fatmirësisht nuk janë raportuar pasoja në njerëz. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë mbërritur dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Pamjet i ka shpërndarë në rrjetet sociale ministri, Niko Peleshi.
Niko Peleshi: Menjëherë pas marrjes së njoftimit, helikopteri #Cougar dhe një grup efektivësh të FA u janë bashkuar forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e zjarrit të rënë në lagjen Qafhardhi, në Shkodër rreth orës 19:00. Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel vendor dhe qendror kanë bërë evakuimin e menjëhershëm të banorëve, ndërsa aktualisht flakët janë nën kontroll. Forcat në terren po punojnë për normalizimin e situatës për të izoluar edhe vatrën e fundit Gjithmonë në gatishmëri për të siguruar mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve!
Një zjarr masiv përfshiu këtë pasdite tregun e rrobave të përdorura në Shkodër. Ngjarja ndodhi në lagjen Perash. Shumë banorë janë evakuuar nga banesat afër shtëpisë që ka marrë flakë në rrugën ‘Ndoc Mazi’. Kryebashkiaku, Benet Beci mbajti një prononcim për gazetarët nga vendi ki ngjarjes ku tha se zjarri është vënë në kontroll dhe kanë ardhur mjete zjarrfikëse nga Lezha, Vau i Dejës, Ulqini dhe Tivati për të ndihmuar. Njëkohësisht po hetohet edhe shkaku i rënies së zjarrit. Fatmirësisht dëmet janë vetëm materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.