Policia e Italisë në kuadër të një operacioni të kryer së fundmi ka arrestuar dhjetë shtetas shqiptarë për trafik të lëndëve narkotike në zonën e Varreses. Mediat italiane raportojnë se shqiptarët kishin shkuar në Itali me viza turistike dhe u përfshinë në trafikun e drogës. Hetimet nisën në vjeshtën e vitit 2023, kur stafi i seksionit të antidrogës, u njoftua lidhur me një shqiptar që shpërndante drogë në zonë. Ai u vu në pranga nga autoritetet ndërsa iu sekuestruan edhe disa doza droge.
Gjatë hetimeve, të cilat zgjatën afërsisht 6 muaj, u arrestuan dy nga narkotrafikantët që i përkisnin grupit dhe u sekuestruan 1 kilogram kokainë dhe 4 kilogramë hashash, pjesërisht të ndara tashmë në qindra doza. Lënda narkotike është gjetur edhe në pyll, ku shqiptarët e fshihnin lëndën narkotike të gatshme për shitje, për ta bërë gati për përdorim.
Roli i dy vëllezërve shqiptarë
Nga hetimet e autoriteteve, koordinuar nga Prokuroria Publike e Vareses, u zbuluan banesa dhe garazhe të regjistruara për palët e treta, por që i atribuohen shqiptarit dhe vëllait të tij, të cilët në përfundim të hetimeve u konstatuan se ishin organizatorët e trafikut të paligjshëm. Dy vëllezërit shqiptarë sillnin në Itali bashkatdhetarë të rinj, të cilët hynin në territorin kombëtar me vizë të rregullt turistike, dhe u jepenin makina, drogë, celularë dhe shtëpi të regjistruara në mënyrë fiktive, duke i paguar shumën prej 5 euro për secilën dozë të shitur.
Të angazhuarit e trafikut në zonë mund t’i përgjonin dhe identifikonin të gjithë blerësit përmes celularëve. Ata kishin organizuar një “dhomë operacioni” të vërtetë në një apartament ku njëri prej të rinjve, pa dalë kurrë nga shtëpia, merrte të gjitha kërkesat për drogë nga blerësit, ekskluzivisht përmes WhatsApp, raunde të plota adresash për shitësit e rrugëve, përmes platformave të tjera sociale më anonime. Vëllezërit në mënyrë paralele kishin organizuar edhe lëvizjen e sasive më të mëdha të drogës jashtë provincës, duke përdorur gjithmonë si drejtues bashkatdhetarët.
Në fund, rezultoi se grupi, sa herë që një nga anëtarët “prekej” nga policia, e kthente menjëherë në Shqipëri për të mos cenuar funksionimin e sistemit, duke e zëvendësuar me një bashkatdhetar të ri të rekrutuar edhe në Ballkan. Nga hetimet rezultoi se dy vëllezërit ishin “aktivë” në këtë mënyrë që nga viti 2021 dhe se xhiroja e tyre kalonte mbi 1000 doza të shitura çdo muaj me një kosto mesatare prej 50 euro secili. Gjatë ekzekutimit u sekuestruan rreth 50.000 euro cash që dyshohet se janë rezultat i veprimtarisë së paligjshme, 7.4 kilogramë marihuanë si dhe 6 pistoleta.