Komisioni Hetimor për sistemin TIMS, një ditë më parë (11 qershor) vijoi me dëshmitë në lidhje me rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Ardit Muço, ish Përgjegjës i Sektorit IT në Policinë e Shtetit, Besjan Tanuzi, Ish Drejtor i Sistemeve, në Policinë e Shtetit, Ervina Gjana, Drejtore e Krimit Kibernetik, në Policinë e Shtetit dëshmuan me dyer të mbyllur. Edhe pse tre zyrtarët deklaruan me dyer të mbylluar janë zbardhur disa nga dëshmitë e tyre në lidhje me Ervin Muçën.
Besjan Tanuzi, personi që Ervin Muça rekrutoi si Drejtor në Drejtorinë e Sistemeve në Departamentin e IT në Policinë e Shtetit, ia ka lënë përgjegjësinë këtij të fundit, zbuloi në një intervistë për Euronews Albania, gazetarja Nevila Dervishi. Tanuzi tha se nuk ishte në dijeni të çfarë mund të ketë ndodhur dhe shtoi se ka zbatuar vetëm detyrat e dhëna nga drejtori i tij Ervin Muça.
“Kemi dhe Besjan Tanuzi, i cili është dhe ish-Drejtori i Sistemeve në Policinë e Shtetit që është pjesë e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit. Ky personazh është emëruar dhe është futur në drejtorinë e Policisë së Shtetit në departamentin e Teknologjisë dhe Informacionit të Policisë së Shtetit me propozimin e Ervin Muçës, pra ka sjellë shokun e tij, siç ndodh rëndomtë. Ka qëndruar 1 muaj në detyrë, në periudhën që është bërë ndërhyrja. Më 2 gusht u godit TIMS-i, pasi një muaji zotëria ka dhënë dorëheqjen. Gjithçka që ka thënë, ja ka lënë përgjegjësinë Ervin Muçës, duke thënë se “kam zbatuar urdhërat që ka dhënë eprori im”. Përgjegjësia sipas tij është e Ervin Muçës”, tha Dervishi.
Ndërkohë sa i përket dëshmisë së Ervina Gjanës, personit që dyshohet se u rekrutua si Drejtore e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, nga Ervin Muça, thuhet se panoi në komision se u rekrutua me mik në atë post, por nuk zgjodhi të jepte emrin e mikut që e punësoi.
“Zonja Gjana është pyetur si është punësuar në Drejtorinë e Krimit Kibernetik, si e mori vesh që kishte një post të hapur pune për aty. Ajo ka thënë se e mori vesh mes miqsh. Në momentin që e kanë pyetur se kush kanë qenë konkurrentët e tjerë që kanë konkurruar bashkë me të, ajo ka thënë se nuk mbante mend as datën as kush ka konkurruar me të. “Si jeni punësuar”, ka qenë një nga pyetjet e tjera dhe ajo ka thënë me “mik”. Megjithatë nuk ka preferuar ta tregojë mikun që e ka punësuar”, tha gazetarja.