Një grup banorësh të njësisë bashkiake numër 2 në Tiranë kanë shkruar bashkërisht një peticion drejtuar Bashkisë Tiranë, ku kërkojnë heqjen e kangjellave që ndajnë në mes rrugën ‘Qemal Stafa’ me rrugën ‘Bardhyl’, dhe ‘Odise Paskali’.
Peticioni i qytetarëve është publikuar në rrjetin social “Facebook” nga anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi, njëkohësisht dhe Sekretar i Përgjithshëm i PL-së. Në peticion, qytetarët sugjerojnë që Bashkia të heqë kangjellat mes rrugëve por të shtojë vizat e bardha.
Sipas Blushit, kangjellat pengojnë qytetarët e zonës për të kaluar rrugën, duke i detyruar ata të përshkojnë rrugë të gjatë për të shkuar tek vizat e bardha, stacioni autobusit etj.
“Përshëndetje, nga rruga ‘Qemal Stafa’ në njësinë bashkiake numër 2 në Tiranë.
Jam këtu me kërkesë të banorëve, për të denoncuar papërgjegjshmërinë e bashkisë së Tiranës, e cila ka bllokuar siç mund ta shihni rrugën ‘Qemal Stafa’ me rrugën ‘Bardhyl’, dhe ‘Odise Paskali’, duke vendosur këto kangjella.
Jo vetëm që pengojnë lëvizjen e qytetarëve, por sigurisht pengojnë edhe aktivitetin, e dhjetëra bizneseve në këtë zonë.
Kjo është kërkesa dhe peticioni, që prej muajit prill është depozituar në bashkinë e Tiranës, në zyrën e urbanistikës, dhe nuk ka marrë përgjigje nga bashkia.
Jam këtu në emër të qytetarëve, për ti kërkuar bashkisë, heqjen e menjëhershme të këtyre kangjellave, që jo vetëm pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, jo vetëm po penalizojnë dhjetëra biznese, por po detyrojnë dhe qytetarët, për të bërë 1, apo 2 kilometër në këmbët, për të mbërritur tek stacioni I urbanit këtu.
Gjithë ato familje, që ndodhen në rrugën Qemal Stafa, që detyrohen të çojnë fëmijët në çerdhe dhe në kopshte, duhet të kapërcejnë këtë pengesë, që arbitrarisht, dhe pa u konsultuar me komunitetin, ju ka vendosur bashkia e Tiranës.
Këto kangjella nuk janë këtu për sigurinë e qytetarëve, nuk janë këtu për të ndihmuar biznesin, përkundrazi rrezikojnë çdo ditë jetën e qindra, mijëra qytetarëve që kalojnë në këtë rrugë.
Që përpiqen, të kalojnë këto kangjella për të dërguar fëmijët në shkollë, në çerdhe, penalizojnë këto dhjetëra biznese, që do ti dëgjoni dhe vetë për të denoncuar bashkinë e Tiranës.
Se sa vuajtje kalojnë çdo ditë, se sa penalizohen çdo ditë. Një tjetër çështje shumë e rëndësishme, që këta banorë ngrenë me të drejtë, janë këto kazanë mbeturinash, që rrezikojnë jo vetëm jetën, por dhe ndotin të gjithë këtë ambient dhe këtë lagje këtu, duke penalizuar bizneset.
Për fat të keq janë mijëra qytetarë, që janë të braktisur nga bashkia e Tiranës.
Ndaj I bëj menjëherë thirrje bashkisë, të tërheqë urgjentisht këtë vendim skandaloz, të heqë menjëherë këto kangjella që pengojnë lëvizjen e qytetarëve.
Të respektojë të gjitha të drejtat legjitime të këtyre banorëve, të dëgjojë zërin e bizneseve, të dëgjojë zërin e prindërve, të dëgjojë zërin e fëmijëve, që rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre, për të shkuar në shkollë.
Shumë shpejt edhe si anëtar i Këshillit Bashkiak, do ta depozitoj zyrtarisht kërkesën e këtyre banorëve, dhe do të bëj gjithçka që kjo rrugë të hapet, siç ka qenë vite më parë, në mënyrë që ky komunitet, të lëvizë lirisht.
Në mënyrë që gjithë këto biznese që paguajnë rregullisht taksat në bashkinë e Tiranës, të marrin frymë lirisht. Arbiraritetit dhe papërgjegjshmërisë së bashkisë së Tiranës, I ka ardhur fundi.
Nuk do të tolerohet më, asnjë vendim arbitrar që merret në mungesë të konsulencës me komunitetin, që merret vetëm në interes të klientëve të Erion Velisë”, shprehet Blushi.