Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë promovimit të Kalendarit Turistik Veror, deklaroi se objektivi kryesor është transformimi i pakthyeshëm i vendit deri në vitin 2030. Ai theksoi se Shqipëria do të bëhet “Evropa e Ballkanit” dhe do të rrezatojë këtë shembëlltyrë në vitin 2030.
Në fjalën e tij, Rama njoftoi se për turistët janë menduar opsione të reja për të bërë vizitën e tyre më të plotë dhe më të lehtë. Risitë përfshijnë personalizimin e planeve të udhëtimit dhe hartat tre dimensionale, të cilat do të jenë të disponueshme në platformën digjitale Kombëtare e Turizmit ‘TEA’.
“Është më pak e rëndësishme se nga jemi nisur dhe më e rëndësishme se ku duhet të shkojmë,” tha Rama. Ai theksoi se aplikacioni ‘TEA’ do të ofrojë një pasqyrë të realitetit, duke ndihmuar turistët të kenë një përvojë sa më të plotë dhe të thjeshtë gjatë vizitës së tyre në Shqipëri.