Durim Bami është arrestuar në Dubai dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri.
Arrestimi i Bamit është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve në Emiratet e Bashkuara. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për Bamin, i cili akuzohet për disa vepra penale, përfshirë sigurimin e kushteve për vrasje, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal, kultivimin e lëndëve narkotike dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.
Edhe pse Shqipëria nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Dubain, në këtë rast mund të aplikohet procedura e deportimit. Arrestimi u bë në një banesë në Dubai.
Kush është Durim Bami?
Durim Bami është një personazh i njohur në botën e krimit në Shqipëri, me një histori të gjatë të përfshirjes në veprimtari kriminale dhe konflikte me figura të tjera të njohura kriminale. Ai është nga Nikla, një zonë e njohur për aktivitetet kriminale.
Në vitin 2015, Durim Bami u arrestua në lidhje me një tentativë për vrasje ndaj deputetit Tom Doshi dhe kolegut të tij të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Gjatë hetimeve, u pretendua se Doshi dhe Bami kishin bashkëpunuar për të organizuar atentatin, por më pas u zbulua se akuzat ishin të rreme dhe Bami u dënua për kallëzim të rremë.
Në vitin 2020, ai ishte objektiv i një atentati në Fushë-Krujë, i cili dështoi. Ky atentat ishte pjesë e një lufte mes grupeve kriminale ku Bami kishte bërë aleancë me klanin Duka për të eliminuar rivalët si Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Këto grupe ishin të përfshira në një seri të gjata konfliktesh dhe hakmarrjesh të dhunshme.
Në maj 2015, Bami u vendos në arrest shtëpie pasi gjykata vendosi që ai nuk përbënte rrezik të lartë për publikun. Gjatë kësaj kohe, u ngritën akuza të tjera kundër tij, përfshirë përfshirjen në disa tentativa vrasjeje dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ndërkohë pas zbërthimit të Sky Ecc dhe Encro Chat, ai rezultoi si i përfshirë në disa prej ngjarjeve kriminale, si atentati ndaj Marklen Hakës, vrasja e Gentian Bejtjes, si dhe kishte krijuar kushtet për disa vrasje në qarkun Shkodër, Lezhë.
Durim Bami mbetet një figurë kontroverse në skenën kriminale shqiptare, me një histori të ndërlikuar dhe të përfshirë në shumë ngjarje të dhunshme që kanë pasur ndikim të madh në komunitetin ku ai operon.