Belind Këlliçi mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së 11 para bashkisë Tiranë ku kërkohet dorëheqja e Erion Veliajt. Këlliçi denoncoi veprimet e drejtuesve të bashkisë, duke i quajtur ato të turpshme. “Këtë javë kemi parë një hajdut tjetër të ngrejë kokën. Ndërkohë që ne prisnim një shenjë falënderimi për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, çfarë ndodhi? Hajduti më i pasur në bashkinë e Tiranës, Arli Naska, merr kurajën me një akt të turpshëm të gjobisë Aleancën dhe avokaten e saj,” tha Këlliçi. Ai shtoi se të njëjtit individë janë të përfshirë në skandale të mëdha financiare, duke iu referuar miliona eurove të vjedhura në skandalet e inceneratorit dhe 45 tenderave korruptivë.
Këlliçi gjithashtu përmendi situatën e ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpie, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë çdo natë. “Dje ka qenë dita e parë, në protestën që zhvillohet çdo natë pranë ‘rrugicës së shpresës’ për të kërkuar lirimin e kryetarit të opozitës,” theksoi ai.
Protesta vijon të mbledhë mbështetje të gjerë, dhe Këlliçi falënderoi punonjësit e Tatimeve dhe Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit për denoncimet që kanë bërë ndaj veprimeve të Naskës dhe të tjerëve. Ai përmendi se çdo hajdut i ekspozuar nga protestuesit ka qenë gjithashtu pjesë e manipulimeve në zgjedhjet e fundit.
Në vijim, protestat pritet të vazhdojnë me të njëjtën intensitet, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime të thella dhe llogaridhënie për aktet e korrupsionit që kanë ndodhur në Bashkinë e Tiranës.