Sot, para Bashkisë së Tiranës, zhvillohet një protestë e madhe e organizuar nga Aleanca për Mbrotjen e Territorit (AMT) dhe forcat e opozitës. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj, pas skandaleve të fundit që përfshijnë aferën e inceneratorëve dhe arrestimin e disa drejtorëve të bashkisë në aferën e njohur si “5D”.
Në protestë, deputeti i opozitës, Klevis Balliu, mbajti një fjalim të ashpër duke akuzuar direkt kryebashkiakun për abuzime dhe marrëdhënie të dyshimta. “Vazhdojmë sot të protestojmë kundër vjedhjes. Ne jemi kundër vjedhjes, po këta përballë nesh a janë pro vjedhjes? Kalojini hekurat dhe dilni me qytetarët, aty ku e keni vendin dhe jo me Lal Hajdutin,” deklaroi Balliu.
Balliu vijoi me tone akoma më të forta, duke iu drejtuar direkt Veliajt: “Ti dhe urdhër që të dhunohen qytetarët protestues, ndërkohë që fle gjumë me Durim Bamin! Qytetarët i ke shtruar në spital me dhunë, kurse me kriminelët që pastron paratë ha dreka dhe darka. Ky që ditën që doli krimi çnjerëzor, vjedhja çnjerëzore që i ka bërë Erion Veliaj qytetit të Tiranës, duhet të jepte dorëheqjen. Por ai nuk jep dorëheqjen sepse duhet të mbrohet nga vjedhja. Ata në SPAK nuk sillen si kolegë të Veliajt, por si nëpunësa të tij.”
Në fund të fjalimit të tij, Balliu bëri një thirrje për veprime të mëtejshme, duke theksuar nevojën për ndryshime për të sjellë demokraci dhe për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. “Gjithë Europa është bërë blu, nuk hyjmë në Europë nëse jemi të kuq. Për të sjellë demokracinë, çdo mjet është demokratik, çdo sakrificë është demokratike. Këta kanë vjedhur shtetin dhe të ardhmen, ndaj çdo mjet është demokratik. Ne do bëjmë gjithçka për ta kthyer vendin në shinat e Europës, për ta rikthyer vendin blu,” përfundoi Balliu.
Protesta vijon me pjesëmarrje të madhe dhe pritet të sjellë më shumë zhvillime në ditët në vijim.