Gjenerali në pension William Anders, i njohur për fotografinë ikonike “Earthrise” që bëri gjatë misionit Apollo 8 në 1968, ka ndërruar jetë në një aksident tragjik. Ai po pilotonte një avion që u rrëzua në det pranë ishujve San Juan në shtetin e Washingtonit. Djali i tij konfirmoi lajmin për CNN, duke thënë: “Babai im vdiq në një aksident avioni në ishujt San Juan. Familja është e shkatërruar dhe vajton për humbjen e një piloti të madh.”
Një video që po qarkullon në internet tregon momentin e rrëzimit të avionit të Andersit, i cili duket se humbi kontrollin përpara se të binte në ujërat e ftohta. Zyra e Sherifit të Qarkut San Juan bëri të ditur se avioni u rrëzua në brigjet e ishullit Jones. Raporti i parë për ngjarjen vinte nga një dëshmitar që pa avionin të fluturonte nga veriu drejt jugut përpara se të rrëzohej në det pranë skajit verior të ishullit dhe të fundosej.