Rasti i ‘Brianza Dent’, i publikuar të mërkurën (5 qershor) nga emisioni investigativ ‘STOP’ tregoi qartë realitetin e trishtë të klinikave dentare në vend.
Sipas investigimit të ‘STOP’, klientëve iu janë shitur proteza koreane për gjermane, të cilat kanë dallime të mëdha në cilësi dhe çmim, nga 350 euro (koreanja) në 1000 euro (gjermanja). Ky rast nuk është i izoluar, pasi ka pasur denoncime të pafundme për klinika të ndryshme që iu shesin ‘sapunin për djathë klientëve. Këto klinika operojnë kryesisht në Tiranë
Turizmi Dentar po lulëzon prej disa vitesh në vendin tonë, ku shumë të huaj, por edhe emigrantë, vijnë në Shqipëri për të kryer shërbimet dentare, duke shfrytëzuar çmimet e favorshme dhe fasilitetet si hoteli apo transporti.
Me rritjen kaq të vrrullshme të turizmit dentar, po evidentohen edhe problematikat. Klinika dentare që abuzojnë me cilësinë e produkteve dhe shërbmeve që ofrojnë.
Turizmi dentar, i cili vërtetë po jep përfitime ekonomike, por po merr në qafë njerëzit, të cilët përballen me dhimbje dhe infeksione, por që askush nuk mban përgjegjësi.
Investigimi i bërë nga ‘STOP’ ka dokumentuar edhe se si falsifikohen vulat e kompanive të huaja për të rritur çmimet e protezave dentare. Ka pasur raste që persona kanë humbur paratë, por edhe jetën për shkak të këtyre klinikave pa standard që operojnë në kryeqytet.
Ky skandal është një këmbanë alarmi për institucionet, të cilave iu janë paraqitur raste flagrante, por që kanë vendosur të qëndrojnë në gjumë.
Kujtojmë se disa muaj më parë, 3-vjeçari Brian Spahiu humbi jetën pasi kreu një operacion në gojë në klinikën dentare private “Splendent” në kryeqytet. Të miturit iu bë narkozë në dozë të lartë dhe fatkeqsisht ai nuk u zgjua më kurrë nga gjumi.