Gerald Shehu, i dyshuari për vrasjen e Eraldo Nevruzit në Dhërmi, është arrestuar në Greqi. Mësohet se Shehu u kap në një aeroport grek, duke tentuar të largohej.
Më parë, Policia e Shtetit kishte njoftuar se ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet greke për kapjen e Shehut, i cili kishte hyrë në Greqi nga pika kufitare e Qafë Botës.
Shehu, me origjinë nga Tepelena dhe banues në Greqi, është dhëndri i pronares së hotelit në Dhërmi ku punonte Nevruzi si recepsionist. Sipas raportimeve, Nevruzi kishte shkuar për të punuar gjatë verës.
Policia ende nuk ka gjetur trupin e Nevruzit, por dyshon se ai është qëlluar me armë zjarri nga Shehu. Hetimet kanë zbuluar se Shehu dhe Nevruzi kanë pasur shoqëri dhe kanë qenë në Angli.
Policia ka shpallur Shehun në kërkim dhe ka marrë në pyetje 29 persona për të zbardhur ngjarjen. Hetimet vazhdojnë për të gjetur trupin e Nevruzit dhe për të dokumentuar plotësisht rastin.