Përplasjet për grupin Parlamentar të PD-së janë zhvendosur sot në sallën e Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka shkarkuar nga të gjitha funksionet që kishin në grupin parlamentar të gjithë deputetet që i përkasin PD zyrtare.
Ai ka shkarkuar nënkryetarët që deri tani kanë qenë në detyrë, po ashtu ka kërkuar edhe rikthimin e Sali Berishës në grupin parlamentar.
“Kemi njoftim nga grupi parlamentar i PD. Në kryesinë e grupit parlamentar janë bërë ndryshime. Nënkryetar Ervin Salianji, nënkryetare Albana Vokshi, sekretar Ina Zhupa”, lexoi Nikolla.
Ndërkohe Lindita Nikolla nuk pranoi kërkesën për të futur Berishën në Grupin e PD-së, pasi sipas saj për këtë duhet të kishte një vendim zyrtar nga partia. Kjo ka sjellë përplasje me deputetët e opozitës, që çuan dhe në ndërprerjen e seancës plenare për disa minuta.
Bardhi: Kur lexon njoftimet e grupit lexoi deri në fund jo një pikë jo një po.
Nikolla: Në shkresë ka një person që është përjashtuar nga grupi me vendim të PD e duhet të futet po me vendim të PD.
Po ashtu është rrëzuar kërkesa e Gazment Bardhit për mocion me debat për emisionin e RAI 3 për Shqipërinë.