Kreu i Komisionit Hetimor Parlamentar për sistemin TIMS, Ervin Salianji, ka zbuluar detaje tronditëse gjatë një interviste për News24. Sipas tij, të dhënat e sistemit TIMS, pas një sulmi kibernetik, janë publikuar në një portal të paligjshëm, duke rrezikuar sigurinë kombëtare.
Në intervistën e tij me gazetarin Osman Stafa, Salianji deklaroi: “Pas hakërimit, sistemi TIMS gjendet online, në një web të paligjshëm dhe gjenden të dhënat e qytetarëve aty. Kam kërkuar një mbledhje urgjente me kolegët e komisionit të sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të rëndë të sigurisë kombëtare.”
Salianji gjithashtu theksoi se të dhënat në TIMS janë aksesuar nga persona të paautorizuar dhe se sistemi nuk ka shfaqur informacione për persona në kërkim, gjë që ngre dyshime serioze mbi përdorimin e tij nga individë me rekorde kriminale.
Ai shtoi: “Kjo është logjika skandaloze e të gjithë kësaj çështje. Ky shtet që duhet t’i kishte sistemet sensitive të sigurta, i ka në duar të paautorizuara, të pasigurta.”
Duke akuzuar ish-ministrin dhe titullarët e institucioneve për gënjeshtra fillestare mbi hakërimin e sistemit, Salianji tha: “Sot del që janë online. Personat e caktuar kanë patur akses të paautorizuar në sistem dhe kanë patur mundësinë që të ndërhyjnë.”
Salianji përfundoi me një thirrje për mbledhje urgjente të Komisionit të Sigurisë për të adresuar këtë çështje kritike: “Duhet të mblidhet Komisioni i Sigurisë, sepse jemi në kushtet e cenimit të sigurisë kombëtare. Skandalin e kanë justifikuar, duke thënë se është gabim njerëzor.”
Ky zbulim ka ngritur shqetësime të mëdha mbi sigurinë e sistemit dhe mbrojtjen e të dhënave personale në Shqipëri.