Kur gazetari italian Giorgio Mottola përmendi biznesmenin e lojërave të fatit, Luftar Hysa dhe takimin që patën bashkë në zyrën e tij në kryeministri, Edi Rama fillimisht bëri një përpjekje për ta shmangur këtë temë në intervistën që kishte kërkuar për Report, duke thënë se po i përmendnin “emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë”.
Por kur Motola vazhdoi duke cituar mediat kanadeze që kanë shkruar se Hysa dyshohet se pastronte paratë e kartelit meksikan të Sinaloas përmes kazinove dhe se ai ka hapur një të tillë në Vlorë, Rama u shtrëngua të japë versionin e tij për takimin. Kryeministri zbuloi se në zyrën e tij ishte folur për kazinonë që do të hapej në Vlorë dhe se për këtë kishin ndërmjetësuar pronarët e Marina Bay.
Atje (në Vlorë) është një investim i një familjeje vlonjate. I ati është një person i njohur në Vlorë sepse ishte një nga aktivistët e gjelbërt kundër Petroliferës Italiane. Ai është bërë i famshëm për këtë dhe familja e tij ka investuar në një nga hotelet më të bukura, pak nga pak Marina Bay. Pastaj ata që unë i njoh sepse jam deputet i Vlorës më thanë duam të të takojmë sepse është një kushëri, apo një i njohur, këtë nuk e di, që jeton në Meksikë dhe dëshiron të na ndihmojë, të na japë një dorë për të menaxhuar kazinonë. I thashë dakord. Hajdeni. Erdhën. I takova. Më thanë thjesht cfarë.. informacione mbi mundësinë e një gjëje të tillë dhe u thashë ne kemi një kuadër të thjeshtë për të stimuluar hotelet me 5 yje, që nuk kishte në Shqipëri bëmë një paketë pa taksa për 10 vite, TVSH 6%, zero tarifa për lejet e ndërtimit” shpjegoi Rama.
Gjithsesi Rama deshi ta minimizojë marrëdhënien e tij me Luftar Hysën, për të cilin dikur kishte fajësuar mediat se po i hidhnin baltë pa bërë asnjë verifikim. “Ai (Hysa) erdhi me ata për këtë. Kjo më kujtohet. Një herë e kam parë në jetën time. Më pas kam parë se e kanë hapur. kaq. A është investitor, apo administrator apo.. nuk e di” u shpreh Rama.
Pyetjeve të Motolës se përse një kryeministër duhet të takohet me një biznesmen të përfolur për lidhjet me kartelin e Sinaloas në Meksikë, Rama iu përgjigj se ndodh që ai të takojë shumë njerëz. Nëse del më pas se kanë probleme me drejtësinë, kjo është çështje e drejtësisë.
Por pohimi i Ramës se Luftar Hysa i erdhi në zyrë për kazinonë në Vlorë është vetëm njëri version. Në një intervistë për Opinion disa vite më parë, Hysa ka thënë se qëllimi i vizitës ishte një tjetër. Që nuk kishte lidhje me biznesin, por me artin.
“Kam dashur ta takoj Edi Ramën për një histori shumë të bukur që më pëlqen ta ndaj me ty këtu. Unë kam një mikun tim të madh qëështë nga Anglia. Faktikisht nga Skocia dhe jeton në Londër. Dhe ky miku im e ka emrin Max Miligan. Unë kam jetu me atë në Peru për tre vjet. Dhe Mak, vëllai I tij ka qenë drejtor i SKY NEëS në Angli. Maksi është fotograf dhe bën libra. Bën fotografi dhe shkruan libra. Ka bërë libra për Perunë, Ganën, Bregun e Fildishtë, Islandën, Rumaninë dhe ky njeri njeri gjithmonë donte të bënte një libër për Shqipërinë dhe të promovonte turizmin. Në telefonin tim i kam të gjitha edhe mesazhet edhe bisedat me Maksin. Dhe unë duke kërku dhe duke parë që Rama është edhe artist dhe i pëlqen kjo lloj fushe, thashë që e vetmja gjë që mund të bëja është t’i propozoj këtë projekt që mund ta mbështeste. Ramën e gjeta përmes një mikun tim gjerman, qëështë mik i mirë i Shqipërisë dhe unë jam krenar që e kam mik. Dhe çfarë kam fol me atë që të ndihmojë Shqipërinë për hapjen e negociatave. Ai kishte ardh për punët e veta dhe tha “Hajde të të prezantoj kryeministrin” u shpreh asokohe Luftar Hysa.
Lajmi se në kazinotë e Shqipërisë po investoheshin paratë e kartelit të Sinaloas u botua në median meksikane El Universal. Në qendër të shkrimit ishte Luftar Hysa dhe vëllezërit e tij. Sipas një prej mediave më të vjetra meksikane kishin lidhje të drejtpërdrejta me drejtuesin e kartelit, Zambada García, i njohur si “El Mayo”. Hysa i ka mohuar shkrimet dhe pretendon se janë sponsorizuar nga rivalët e tij.
Të nesërmen e daljes së shkrimeve për të u publikua një foto e tetorit të vitit 2020 kur ai, së bashku me Besnik Lulaj dhe një deputet gjerman dilte nga godina e kryeministrisë në Tiranë. Ky ishte ish-deputeti i CDU-SCU, Mark Hauptmann. 2 muaj pas takimit u dha lincenca për kazinonë në Vlorë./ lapsi.al