Përballja e Ramës me gazetarin e Report në RAI 3 zgjati 1 orë e 30 minuta dhe intervista po qarkullon kudo në media. Ashtu siç e kishte paralajmëruar më herët, Rama dhe Mottola u ballafaquan me faktet dhe akuzat. Siç edhe pritej, kryeministri mbrojti marrëveshjen me Melonin për qendrën e emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin, duke vënë theksin tek solidaritetit me këtë problem demografik që po përballet Europa sot.
Po ashtu kreu i Qeverisë mbrojti edhe ndërtimet në Tiranë, duke u shprehur se kullat e ndërtuara deri më tani janë vetëm fillimi. Më tej kryeministri është shprehur i “fyer” nga emisioni Report për Shqipërinë si narkoshtet, duke thënë se në këtë mënyrë është fyer populli shqiptar, me akuza në formë Hoxhiste referuar metodës që përdorte ish-diktatori Enver Hoxha. Rama nuk ka nguruar t;i tregojë gazetarit italian edhe një foto të tijën, kur është dhunuar nga SHIK i Berishës në vitin 1996, në një kohë kur shkruante si gazetar në ‘Koha Jonë’.
Intervista
Gorgio Mottola (Rai3) : Atëherë, Kryeministër, falemnderit që pranuat këtë intervistë. E vlerësojmë shumë si shenjë disponibiliteti të madh. Pyetja e parë është kjo: Ju e përkufizuat emisionin tim, hetimin tim si “të neveritshëm”. Është gabim përkthimi apo donit vërtet të thoshit “i neveritshëm”?
Kryeministri: Tani jeni këtu në shtëpinë time dhe nuk do doja të këmbëngulja tek ajo fjalë, por, nëse doni të këmbëngulni, po, ishte shumë i neveritshëm.
Gorgio Mottola: Pse?
Kryeministri: Sepse ishte shumë e qartë që qëllimi ishte të bënit një emision për qendrat e pritjes së migrantëve dhe është e drejta juaj e shenjtë, unë nuk mundem as ta vë në diskutim, që ju të keni opinionin tuaj, të informoni publikun tuaj rreth këtij opinioni, të mblidhni faktet… Por, ta lidhësh këtë histori italiane tuajën me gjithçka kishit qepur bashkë për Shqipërinë, qeverinë shqiptare, për Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, me personazhe të themi mjaft të errëta të Shqipërisë, dukej sikur, në fakt, ishte e qartë që mesazhi ishte se marrëveshja bëhej midis një qeverie italiane, të cilën ju nuk e fshihni që nuk e vlerësoni dhe…
Gorgio Mottola: Ne i kemi kritikuar të gjitha qeveritë.
Kryeministri: … dhe midis një qeverie në Shqipëri, që del si një partnere në hije, me personazhe të lidhura me trafikun e narkotikëve apo me këtë ose atë tjetrën. Kjo është pjesa e neveritshme, jo fakti që ju trajtoni në programin tuaj problemin sesi do të administrohet e gjithë kjo marrëveshje. Edhe vënia në dyshim e vetë idesë së marrëveshjes, dhe i gjithë një një mal gjysmë të vërtetash, të cilat janë gënjeshtrat më të mëdha, është e neveritshme.
Gorgio Mottola: Do ju jap sigurisht mundësinë të shpjegoheni për këtë punën e narkoshtetit. Do ta nis nga qendrat për imigrantët. Si lindi kjo ide? Kush jua propozoi?
Kryeministri: E kam thënë dhe e përsëris, ka qenë një kërkesë mjaft miqësore nga Xhorxha, nëse do ta merrja në konsideratë mundësinë për të bërë diçka bashkë për këtë dhe unë i thashë “pse jo, ta mendojmë”. Pastaj, kaluan muaj, ajo erdhi në Shqipëri dhe patëm mundësi të diskutojmë më gjatë se çfarë mund të bëhej, cila mund ishte pjesa jonë në këtë gjë dhe, pastaj, e bëmë.
Rai3: Megjithatë, nuk mendoni se dëbimi i migrantëve që përpiqen të mbërrijnë në Itali drejt Shqipërisë është një shkelje e të drejtave themelore të njeriut?
Kryeministri: Kjo është një mënyrë për ta parë gjënë, por ka edhe një mënyrë tjetër për ta parë, sepse gjeografia nuk mund të jetë mallkimi i Italisë, që është lënë e vetme për shumë kohë. Në momente dramatike në kohë është braktisur vërtet në vetminë r saj, sepse, nëse dikush vë këmbë në Itali, vë këmbë në Europë. Pra, nuk është një që mbërrin aty dhe Italisë i duhet ta menaxhojë vetë; është dikush që mbërrin në Europë dhe Europa duhet ta menaxhojë së bashku. Për më tepër, ka një dispozitiv të rëndësishëm të legjislacionit europian, që është rishpërndarja dhe që, qartësisht, nuk ka funksionuar. Në dëm të Italisë. Ndërkohë ne nuk jemi një vend që është pjesë e BE-së, ne jemi pjesë e E-së, pra jemi vend europian e gjendemi në anën tjetër të detit nga Italia dhe, thjesht, kemi marrë përsipër një përgjegjësi si europianë, në kuptimin që, ju keni nevojë që ne të kontribuojmë e të marrim pjesë. Nëse këtë gjë do ta kishte bërë Sllovakia, Polonia apo kushdo tjetër që është në Bashkimin Europian, asgjë nuk do të ishte thënë, por fakti që Shqipëria nuk është në Bashkimin Europian, ngre gjithë këtë zhurmë dhe, më pas, këtë interpretim, do të thoja subjektiv, të faktit.
Gorgio Mottola (Rai3) : Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?
Kryeministri: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…
Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…
Rai3: Po, nëse, në kohën kur shqiptarët kalonin përmes Kanalit të Otrantos për të mbërritur në Itali, të dëboheshin në Tunizi, në Egjipt, në pritje të përgjigjes për kërkesën e tyre për azil, çfarë do të mendonit?
Kryeministri: Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë…
Rai3: S’ka gjë, rifillojmë.
Kryeministri: E dëgjuat? Ai ka ide subversive…
Kryeministri: Ide subversive? Absolutisht jo.
Kryeministri: Bëj shaka. Para së gjithash, nuk është e njëjta gjë. Jemi në një situatë ku duhet një qasje e përbashkët europiane, e të gjithëve. Nuk është një temë e politikës së ditës apo interesave zgjedhore, është një çështje shumë e madhe për t’u kthyer në objekt përplasjesh politike. Sepse në fund të fundit, të gjithë, kur vijnë në qeveri, e mendojnë njësoj dhe kërkojnë të bëjnë thuajse të njëjtën gjë. Qoftë e majta apo e djathta, në Itali e kudo, flasin për kontrollin e flukseve, flasin për flukse të paligjshme, flasin…
Rai3: Absolutisht…
Kryeministri: Atëherë, çfarë?!
Bëjmë moral kur rrimë aty e shohim të tjerët që iu duhet ta menaxhojnë dhe, pastaj, kur vjen puna për ta menaxhuar vetë bëjmë të njëjtën gjë? Këtu ka nevojë për një tryezë të madhe të përbashkët të të gjithëve, përtej së majtës dhe së djathtës, për të kuptuar, nga njëra anë, që ka një demografi që po ndëshkon një Europë të tërë, të themi, sidomos Europën e vjetër…
Rai3: Një dimër demografik.
Kryeministri: … me rritjen e moshës së popullsisë që nuk duket se po ka një zgjidhje, ndërkohë, nga ana tjetër, ka një nevojë të jashtëzakonshme për fuqi të re punëtore. Ku do i gjejnë? Se nuk më duket që të rinjtë italianë janë të prirur të bëjnë më shumë fëmijë, për të ndihmuar flamurin trengjyrësh.
Rai3: Këtu dalloj Ramën socialist.
Kryeministri: Ramën socialist?… Në fakt, unë jam socialist pak i çuditshëm, sepse nuk besoj në llogoret ideologjike. Unë besoj në zgjidhjet e përbashkëta dhe në zgjidhjet që funksionojnë. Nëse një zgjidhje funksionon, funksionon dhe nuk mund të etiketohet si e majtë apo e djathtë dhe pastaj të bëhet diçka që nuk funksionon.
Rai3: Atëherë, më këtë marrëveshje po kontribuoni për ndërtimin e një modeli, sipas të cilit, vendet e pasura do ta zgjidhin problemin duke ua shkarkuar atë në kurriz vendeve të varfra?
Kryeministri: Para së gjithash, e kam thënë që në fillim, Shqipëria nuk mund ta zgjidhë këtë problem, çfarëdo të bëjë. Ky problem zgjidhet së bashku dhe nuk është një problem që mund ta transferosh, është një problem që duhet ta godasësh dhe duhet goditur bashkërisht. Në këtë kuptim, po flisja për përmbajtjen e kësaj Europe, përballë kësaj sfide të plakjes dhe mungesës së krahut të punës dhe, nga ana tjetër, po flisja për nevojën për të mos rënë viktimë e të gjitha dëshirave kriminale të atyre që përdorin varfërinë, që shfrytëzojnë të gjitha problemet e të varfërve, për t’iu marrë edhe paratë e fundit që iu kanë mbetur e për t’i sjellë në Europë pa asnjë kontroll, pa asnjë filtër, pa asnjë politikë. Atëherë, për këtë duhet punuar, jo për faktin që, nëse e bën Xhorxha është keq, nëse e bën Minniti është mirë, apo e anasjellta.
Rai3: Pjesa tjetër e Europës e ka përqafuar këtë projekt. Manifesti zgjedhor i partive popullore europiane përmban pikërisht këtë zgjidhje: pritjen e migrantëve në kërkim të azilit në vendet e treta. Do të ndërtohen qendra të tjera këtu në Shqipëri?
Kryeministri: Ndjesë, mbi të gjitha, mendoj se pjesëmarrja e vendeve të treta nuk është zgjidhje në vetvete. Pjesëmarrja e vendeve të treta duhet të jetë vetëm pjesë e një zgjidhjeje më komplekse, sepse, nëse mendohet që vendet e treta janë zgjidhja, atëherë, nuk do të shkojmë kurrkund, nuk do të ketë zgjidhje dhe do të përfundojmë t’i biem murit që kemi përballë ose të përplasemi me ajsbergun që na ka dalë përpara. Të flasësh për këtë sfidë shumë të madhe që ka Europa, si të ishte diçka që lidhet me zgjedhjet e ardhshme, mandatet e ardhshme, mundësisë së ardhshme për t’u ngjitur në pushtet, është njësoj si të luash muzikë, teksa Titaniku po mbytet.
Nga ana tjetër, të mbytesh, themi ne, nuk di nëse e keni edhe ju në italisht, të mbytesh me një pikë ujë dhe ta paraqesësh këtë përpjekje për të krijuar diçka, për të provuar diçka – pa pretenduar se do zgjidhim problemin, po sidoqoftë duke kërkuar rritjen e pjesëmarrjes së vendeve – si diçka për t’u hedhur tutje, është shumë nënçmuese dhe vërtet qesharake.
Rai3: Shqipëria do të pranojë qendra të tjera?
Kryeministri: Shqipëria e ka bërë këtë – dhe do doja të ishte e qartë – jo pse ishte hera e parë që merrte një kërkesë të tillë. Kemi marrë të njëjtat kërkesa nga vende të tjera dhe i kemi refuzuar, sepse ishin të pakuptimta. Një gjë është të jesh vend fqinj, me historinë e përbashkët që kemi. Italia është Shqipëria dhe Shqipëria është Italia, në mënyrën se si i shoh unë gjërat dhe në frymën e dy popujve tanë. Por, të presësh këtu njerëz të shkretë që i sjellin nga Anglia, nuk është diçka që bëhet. Duhet të krijohen sinergji të një tjetër lloji. Pra, jo. Kurrë.
Rai3: Është e vërtetë që i keni kërkuar Kosovës ngritjen e qendrave të tjera?
Kryeministri: Jo! Pse duhet tia kërkon? Jo
Rai3: Ju i keni kërkuar Kosovës të hapë qendra të tjera?
Rai3: Po, qendra për migrantët, Ka një diskutim të tillë?
Kryeministri: Jo. Pse duhet t’ia kërkoj? Jo.
Rai3: Nuk është diskutuar asnjëherë kjo?
Kryeministri: Nuk e di. Ndoshta e kanë kërkuar të tjerë. Më duket se patën bërë një marrëveshje me Danimarkën, po nuk di si ka vajtur.
Rai3: Ah, Danimarka donte të ngrinte qendra për migrantët në Kosovë?
Kryeministri: Më duket se ka pasur një diskutim të tillë, po.
Rai3: Dëgjoni, Bechetti… Bechetti mbeti keq. E di, thoni që nuk e njihni.
Kryeministri: Bechetti është pika juaj e dobët, e di.
Rai3: Report ka bërë një emision mjaft të ashpër për Bechettin.
Kryeministri: Atëherë, zotëria është një kriminel, i dënuar me 17 vjet burg në bazë të ligjit shqiptar për afera të pista, pastrim parash, etj. kaq.
Rai3: Por një gjykatë ndërkombëtare ju ka dënuar t’i paguani 130 milionë euro. Pse nuk e zbatoni këtë vendim?
Kryeministri: Sepse kjo historia ende nuk ka mbaruar. Jemi në një proces gjyqësor në Belgjikë dhe kush mendon se kjo histori është mbyllur, besoj se do t’i duhet të rimendohet.
Rai3: Të vijmë tek narkoshteti.
Kryeministri: Po ç’narkoshtet?! Nuk ju duket se po më jepni vetë një provë të neverisë së atij programi? Të quash narkoshtet një vend që ka çelur negociatat me Bashkimin Europian, për t’u anëtarësuar në BE. Të çelësh bisedimet me Bashkimin Europian nuk është njësoj si të hapësh programe televizive dhe të mbledhësh bashkë pikëpamje të përafërta, por ka të bëjë me kryerjen e disa detyrave shtëpie që janë tepër të monitoruara, fakt për fakt.
Po, e di, personazhet që zgjodhët të ftonit pa të drejtë replike në atë program e mendojnë kështu, por janë të gjithë personazhe që kanë probleme me drejtësinë.
Rai3: Megjithatë, qëkurse keni ardhur në pushtet, në vitin 2013, ka pasur një rritje eksponenciale të peshës së mafies, qarkullimeve të mafies shqiptare.
Kryeministri:: Kush e thotë këtë?
Rai3: Edhe hetimet italiane flasin që mafia shqiptare është bërë shumë e fortë në nivel ndërkombëtar.
Kryeminisri: Para së gjithash, ndodhte njëherë e një kohë kur media italiane thoshte “ishte një shqiptar” për çdo gjë të keqe dhe ai program më bëri të ndjeja pak shijen e atyre kohëve.
Rai3: Ai ishte racizëm, italianët ishin shumë racistë atëherë, por këtu flasim për fakte, për hetime gjyqësore.
Kryeministri: Unë besoj që, kur flitet për të tilla gjëra, duhen parë gjithnjë faktet. Të flasësh për rritje eksponenciale të mafies shqiptare do të thotë, mbi të gjitha, të flasësh për një mafie ndërkombëtare që nuk njeh kufij, që nuk ka etni. E duke qenë se vijnë nga vende të ndryshme dhe që, për shembull, Eldoradon e vet nuk e ka në Shqipëri, e ka në Holandë, e ka në Portin e Roterdamit. Dje, Wall Street Journal botonte një artikull për Holandën dhe Belgjikën që e bënte Italinë të dukej një vend steril dhe Shqipërinë një vend të tredhur nga këndvështrimi i kapaciteteve mafioze.
Atëherë, për çfarë po flasim dhe pse nuk thuhet asnjëherë që Holanda është një narkoshtet? Që nuk është… Po është kaq e lehtë që ta quash Shqipërinë narkoshtet sikur s’po thua asgjë, ndërkohë që Shqipëria sot është një vend ndryshe dhe ju mund ta dëshmoni këtë.
Rai3: Duke folur për fakte, Tirana është transformuar qëkur ju ishit kryetar bashkie e në vijimësi. Janë ndërtuar kulla shumë të larta fantastike. Si janë financuar këto kulla? Vitin e kaluar, në sektorin e pasurive të paluajtshme, ka pasur një investim me vlerë rreth 3,7 miliardë euro, por, pak a shumë, vetëm 800 milionë vinin nga bankat. Nga vijnë paratë me të cilat…
Kryeministri: Para së gjithash, edhe kjo nuk është e vërtetë. Këtu po ndërtojmë. Ka një numër kullash, por është vetëm fillimi. Pas pesë vjetësh, do të kemi shumë më tepër. Kemi angazhuar arkitektët më të mirë të botës. Ka gjashtë apo shtatë fitues të çmimit Pritzker, që punojnë me ne në Shqipëri. Dje isha në Lezhë, ku është vendi që kemi pritur afganët dhe ku do të jenë edhe qendrat dhe, vetëm vitin e kaluar, në Lezhë, iu shitën 500 pasuri të paluajtshme shtetasve të Bashkimit Europian, polakë, spanjollë, çekë, holandezë.
Rai3: Po, në Tiranë, 20 për qind e apartamenteve janë bosh.
Kryeministri : Kush e thotë?
Rai3: Të dhënat zyrtare.
Kryeministri : Jo, nuk është e vërtetë.
Rai3: Të dhënat nga konsumi i energjisë elektrike.
Kryeministri : Jo. Po ju them diçka
Rai3: Është nga operatori juaj elektrik.
Kryeministri: Prisni, se jeni ndotur së tepërmi nga burime informacioni, që janë të njëanshme dhe ndaj duhet të vendosim pak ekuilibër.
Rai3: Janë të dhëna objektive
Kryeministri : Atëherë, e para, ne kemi dalë nga lista gri e Moneyval-it, pikërisht sepse kemi një regjim shumë të fortë kundër pastrimit të parave nga ky këndvështrim. E dyta, shqiptarët që jetojnë jashtë nuk janë më shqiptarët që pastronin shtëpitë ose vilnin frutat e që mund t’i trajtonin si skllevër. Janë persona që sot i paguajnë buxhetit italian vlera mjaft të konsiderueshme. Janë thuajse 40 mijë biznese të krijuara nga shqiptarët. Dhe ne shqiptarët jemi si ju, italianët. Ju jeni shqiptarë të veshur me Versace dhe pikë! Lërini Rafaelon, Leonardon e të tjerët se nuk keni pikë lidhje me ta, për ta thëne deri në fund siç është, edhe pse keni mendimtarë të mëdhenj, intelektualë të mëdhenj.
Rai3: Megjithatë, këtu thërrisni arkitektët italianë për të ndërtuar, si Boeri.
Kryeministri : Janë fantastikë, por po flas nga këndvështrimi.
Po nëse mendon për krenaritë e italianëve, mendon që Rafaelo ishte korsikan, megjithatë e lëmë. Atëherë, po ju thoja që, njësoj si ju, edhe ne jemi të lidhur me tokën, jemi të lidhur me rrënjët dhe shqiptarët që janë jashtë investojnë për të blerë banesa e kështu me radhë.
Rai3: Pra, janë dërgesat e emigrantëve.
Kryeministri: Ne kemi kryer një studim, pikërisht për të kuptuar që nuk gjendeshim përpara një flluske dhe doli që kërkesa për të blerë apartamente është shumë më e lartë sesa oferta edhe sot. Pastaj, janë italianët që blejnë në Shqipëri dhe Banka qendrore e Shqipërisë ka botuar një të dhënë, sipas së cilës, investimet e huaja në Shqipëri janë rritur, kanë shënuar një rritje të menjëhershme falë investimeve të të huajve nga Bashkimi Europian, të cilët blejnë shtëpi ose zyra në Shqipëri. Dhe bëhet fjalë për qindra miliona, jo për një.
Rai3: Domethënë, edhe Kastrati i ndërton kullat me paratë e emigrantëve që kursejnë në Itali.
Kryeministri: Nuk e di saktësisht se kush janë, pasi janë të dhëna të përziera, por ju duhet të kuptoni që, për çdo banesë që shitet në Shqipëri bëhet kontrolli i origjinës së parave. Domethënë, ka marrë fund faza kalabreze, të themi, e Shqipërisë, kur bliheshin shtëpi në Tiranë me para në dorë dhe pastaj bëheshin bilance, bëheshin fatura që ishin gjysmë të vërteta.
Rai3: Kemi folur me një eksponent, ish-eksponent të rëndësishëm të qeverisë suaj, i cili pretendon se vitet e kaluara, shpesh, gjatë mbledhjeve zyrtare të qeverisë, ka paralajmëruar për kanabizimin dhe se ju keni thënë që do të jetë një “boost”, një kontribut i rëndësishëm për ekonominë, do të zhvillojë shqiptarët. A është e vërtetë?
Kryeministri: Nuk di me kë keni folur, po unë nuk do iu besoja shumë atyre që flasin pasi nuk ua ngroh më të ndenjurat karrigia e pushtetit. Kështu e mendoj unë. Nuk janë njerëz që duhen marrë seriozisht, por vetëm mund të mëshirohen.
Rai3: I njëjti person pretendon se në këtë zyrë kanë ardhur edhe shefat e organizatave kriminale shqiptare dhe që ju i keni takuar këtu.
Kryeministri: I njëjti burim.
Rai3: Po.
Kryeministri: Atëherë, duhet të jetë një burim tërësisht i ndotur dhe duhet të ketë probleme me drejtësinë.
Rai3: E, megjithatë, ka mbajtur poste shumë të rëndësishme në qeveritë tuaja.
Kryeministri: Ah! Kemi një thënie ne në Shqipëri, “pyll pa derra nuk ka”.
Rai3: Po, a është e vërtetë apo jo që ju keni takuar figura të krimit të organizuar shqiptar.
Kryeministri:Do ju them diçka, se është ajo çka e bëri të neveritshëm reportazhin tuaj.
Rai3: Megjithatë, unë jam këtu për të dëgjuar mendimin tuaj.
Kryeministri: Do t’ju them këtë. Që nga romakët, civilizimi ynë e ka zgjidhur këtë problem. I takon barra atij që akuzon të paraqesë provat, jo të akuzuarit, sepse, nëse unë ju akuzoj tani ose nëse ju bëj një pyetje të pafajshme, po që është e rëndë: “Më falni, mos ju ka paguar gjë Becchetti?” Ju takon juve ta vërtetoni apo më takon mua ta vërtetoj? Atëherë, nëse unë jua bëj këtë pyetje, ju do thoni: “Sigurisht që jo.” Po nuk është kjo mënyra për të ushqyer publikun, sepse, ndërkohë, po t’jua bëj këtë pyetje, publiku do të nisë të mendojë me vete, “ëhëëë”, pasi, përgjithësisht, qenia njerëzore është shumë herë më e prirur të tërhiqet gënjeshtrat sesa të vërtetat. Në shumicën e rasteve, të vërtetat janë të mërzitshme, nuk përbëjnë lajm; gënjeshtrat ndërkohë janë argëtuese, përbëjnë lajm dhe, pastaj, të gjithë politikanët janë të korruptuar, të gjithë politikanët janë kriminelë. Atëherë, pse jo, edhe krerët e organizatave kriminale kanë ardhur këtu dhe unë vizatoj, ndërkohë që ata më vinin përpara hartat e tyre të trafiqeve. Do ishte një film i bukur.
Rai3: Sigurisht, një detaj specifik për figurën e Erebus (zoti i krimit) Agasit, domethënë Erebus Agasi mund të jetë paksa ai që ka raporte…
Kryeministri: Më fal, po si mundemi të bëjmë ne një intervistë, me ju që përfaqësoni një program të famshëm në Itali, që ka bërë edhe hetime, të cilat kanë bërë zbulime befasuese, pra shërbimi publik, dhe me mua që jam Kryeministri i Shqipërisë, e këtu e sjellim bisedën në një nivel kaq të ulët dhe flasim për njerëzit. Domethënë, marrim emra njerëzish, të cilët as nuk janë të pranishëm, nuk kanë poste e tituj, njerëz që kanë jetët e tyre, nuk është e mundur.
Rai3: Unë ju bëj një pyetje, përgjigjja juaj mund të jetë bindëse.
Kryeministri: Përgjigjja ime është kjo: “Nuk është në shërbim të publikut të marrësh emrat e njerëzve, që kanë jetët e tyre, që janë në punën e tyre, të cilët nuk kanë lidhje kurrkund me punën tuaj, me punën time, që është një punë me peshë, ku flitet vërtet për gjera me peshë, e bëhen pastaj objekt.
Rai3: Po edhe media shqiptare flasin për Agasin si njeriu hije i pushtetit tuaj. Është kështu apo jo?
Kryeministri Jo. Mediat shqiptare nuk bëjnë dallim. Unë midis “Report” dhe homologes së tij në Shqipëri zgjedh Report-in. Domethënë, për mua neveria e Report-it është mjaltë krahasuar me neverinë e homologes suaj këtu në Shqipëri. Mediat shqiptare nuk janë një argument për këtë. Unë, kur flas me ju, duke qenë se më përmendët arkitektët, flas me dikë që përfaqëson kategorinë që, le të themi, është krijuar nga Montanelli, jo kategorinë e krijuar nga Enver Hoxha.
Rai3: Duke hyrë më konkretisht në gjërat për të cilat ka prova të dokumentuara: takimet tuaja me Luftar Hysën. Pse jeni takuar me Luftar Hysën këtu në vitin….
Kryeministri: Një tjetër emër që përmendet si pa të keq. Më fal, po nuk dua të humbas mundësinë për të dalë në transmetim te ju duke përmendur emra, që nuk di as çfarë duan të thonë apo kush janë.
Rai3: Sipas autoriteteve kanadeze është një prej pastruesve më të mëdhenj të parave dhe i kartelit të lojërave të fatit. Këtu në Shqipëri i është dhënë koncesion për një kazino, kështu që flasim për fakte dhe rrethana mjaft konkrete.
Rai3: Po, për mua si gazetar, fakti që kreu i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë takohet me një figurë që, më pas, zbulohet se është pastruesi i parave të kartelit Sinaloa dhe një nga pjesëtarët më të rëndësishëm, për mua ky është lajm dhe unë do t’ju pyes për këtë. Nuk do bëja mirë zanatin tim, nëse nuk do ju pyesja.
Kryeministri: Më falni, unë takohem me shumë njerëz. Unë mbaj përgjegjësi për atë që bëj vetë dhe për atë çfarë personat janë kur vijnë tek unë. Pastaj, nëse zbulohet se dikush nuk është në rregull, i takon drejtësisë të bëj punën e saj dhe, sigurisht, më takon mua, i takon qeverisë, i takon administratës të distancohen. Nëse unë ju them, më falni, po ju takoheni me Francesco Becchettin, që është një kriminel, më fal po çfarë do të thotë kjo? Ju bëni punën tuaj.
Rai3: Unë, sidoqoftë, jam gazetar dhe marr në intervistë kriminelë dhe jokriminelë, ndërkohë ju, si kryeministër, nuk duhet të takoheni me kriminelë.
Kryeministri : Faktet janë ndryshe. Atje është një investim i një familjeje vlonjate. I ati është një person i njohur në Vlorë sepse ishte një nga aktivistët e gjelbërt kundër Petroliferës Italiane. Ai është bërë i famshëm për këtë dhe familja e tij ka investuar në një nga hotelet më të bukura, pak nga pak Marina Bay. Pastaj ata që unë i njoh sepse jam deputet i Vlorës më thanë duam të të takojmë sepse është një kushëri, apo një i njohur, këtë nuk e di, që jeton në Meksikë dhe dëshiron të na ndihmojë, të na japë një dorë për të menaxhuar kazinonë. I thashë dakord. Hajdeni. Erdhën. I takova. Më thanë thjesht cfarë.. informacione mbi mundësinë e një gjëje të tillë dhe u thashë ne kemi një kuadër të thjeshtë për të stimuluar hotelet me 5 yje, që nuk kishte në Shqipëri bëmë një paketë pa taksa për 10 vite, TVSH 6%, zero tarifa për lejet e ndërtimit.
Kemi parashikuar edhe nëse ti bën kërkesë për kazino që normalisht është 10 mln euro, në një hotel me 5 yje, mund ta marrësh me 500 mijë. Dmth një stimul. Ata e kanë këtë strukturë me 5 yje, në Marina Bay dhe automatikisht kanë marrë koncesionin. Nuk është koncesion është licencë. Dhe në këtë rast ishte Hysa.
Rai 3: Dhe në këtë rast ishte ky kushëriri Hysa, kushëriri meksikan
Kryeministri: Ai erdhi me ata për këtë. Kjo më kujtohet. Një herë e kam parë në jetën time. Më pas kam parë se e kanë hapur. kaq. A është investitor, apo administrator apo.. nuk e di.
Rai3: Ka një hetim kanadez
Rai3: Do e anuloni lejen për Valona Construction, që, sipas autoriteteve kanadeze, është kompania guaskë e Hysës?
Kryeministri: Më fal, e para fare, unë as nuk jap, as nuk anuloj koncesione apo çfarëdo që të jetë.
Rai3: Po keni post shtetëror.
Kryeministri Më fal, po unë nuk jam shteti, jam Kryeministri. Shteti ka strukturat e veta, ka administratën e vet, sepse është siç e thashë më parë. Pra, krimineli italian, i cili është dënuar këtu me 17 vjet, i është drejtuar gjykatës për një problem, që, sipas tij, është krijuar nga ne, ndërkohë që ai pastronte para dhe ka përdorur një fjalë timen, postuar në Tëitter, pasi ishte shprehur prokuroria, si presion kundër lirisë së shtypit. Pra, duhet kaluar përmes rrugës gjyqësore, përmes rrugës institucionale për çdo subjekt, për gjithçka, sepse hetimet janë një gjë, proceset gjyqësore janë një gjë tjetër, vendimet e formës së prerë nga gjykatat janë diçka tjetër dhe po te dilet me shpatë e të flitet…, pastaj e gjen veten në situata shumë të parehatshme nga këndvështrimi i shtetit.
Rai3: Pra, duke qenë se keni dhënë një koncesion, keni nisur hetim për këtë shoqëri?
Kryeministri Ju po më thoni një gjë që vetëm tani e marr vesh, se po ma thoni ju, se as nuk jam në dijeni të kësaj gjëje. Jua përsëris, edhe njëherë, ne, shteti shqiptar nuk jep koncesione, nuk u jep leje, nuk iu jep asgjë kriminelëve. Pastaj, nëse ndokush del se është një person që duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për afera, siç ndodh në Itali çdo muaj, ju nuk do ta merrnit kurrë guximin të thoshit, “atëherë, për këtë, kryeministrja italiane që është takuar me atë njeri, është një kriminele”
Rai3: Po, po, kur më pas zbulohet se ka një hetim ndërkombëtar, pezullohet aktiviteti i këtyre shoqërive tregtare, nëse dyshohen si mafioze, që do të thotë se, nëse janë mafioze, nuk ka nevojë as për proces gjyqësor.
Kryeministri: Edhe njëherë, se po i shtojmë fjalë…
Rai3: Jo nuk dua të shtoj gjë.
Kryeministri: …Për këtë. Ju po përpiqeni ta çoni intervistën në drejtimin që doni, që do të thotë, të vazhdoni të këmbëngulni te emisioni i mëparshëm, që këtu ka një histori kriminelësh, një histori personazhesh të errëta e kështu me radhë.
Rai3: Nëse kryeministrja italiane do të takohej me njeriun që pastron paratë për kartelet meksikane, do i bëja pyetje të përsëritura breshëri vetëm për këtë aspekt.
Kryeminisri: E kuptoj.
Rai3: Kështu që, nuk ka të bëjë me ju e me Shqipërinë.
Kryeministri: E kuptoj, por po jua përsëris. Unë nuk kam takuar asnjë pastrues të asnjë lloj paraje të asnjë pale. Unë jam takuar me shqiptarë, të cilët kanë ardhur tek unë, më kanë thënë që kishin synim të zhvillonin diçka dhe iu kam thënë: “Bëni si të doni, ligji dhe rrugët janë të qarta”. Dhe nuk me duket që ndokush të ketë përftuar ndonjë gjë si favor. Pastaj, nëse del se dikush është i bërë pis, atëherë, këtu ka ligje. Është sekuestrimi, është një gjë a një tjetër. Po është krejt ndryshe, domethënë nuk vjen prej meje. Është drejtësia, është…)
Rai3: Ne kemi përmendur edhe vëllain tuaj, Olsi Rama…
Kryeministri: Që është një tjetër ndërhyrje e neveritshme në jetën e dikujt që nuk ka asnjë lidhje, në jetën e dikujt që akuzohet vetëm se është im vëlla, sepse fakti nuk ekziston. Po ashtu, ai ka ngritur edhe padi dhe tani shpresoj që edhe kjo gjë do të sqarohet nga prokuroria e posaçme. Po, e kuptoni? Ju jeni shërbimi publik italian, nuk jeni një kanal shqiptar që bën si të dojë, sepse, në fund të fundit, të flasësh për të tilla gjëra të thuash që, i vëllai, aaa është akuzuar… I akuzuar nga kush, i akuzuar për çfarë? Pastaj, ku janë provat? Pastaj, këto “prova”, janë tani, shpresoj nën hetim.
Rai3: Di që është rihapur hetimi pas emisionit.
Kryeministri: Janë nën hetim, pasi ai ka paraqitur padi për shpifje, kështu që këtu i duhet lënë në dorë drejtësisë. Por t’i marrësh gjëra të tilla e të formosh një mozaik me copëza që janë të gjitha gjysmë të vërteta. Janë të gjitha gjysmë të vërteta dhe për këtë arsye gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha, mashtrimet më të mëdha.
Rai3: Dëgjoni, ju keni një raport të shkëlqyer me Xhorxha Melonin. Keni pasur marrëdhënie të shkëlqyera me të gjithë kryeministrat, veçanërisht me Massimo D’Alema-n.
Kryeministri: Po.
Rai3: Massimo D’Alema, është një këshillues i juaji, ju e keni emëruar këshilltar.
Kryeministri: Jo, nuk e kam emëruar këshilltar, sepse nuk do ia lejoja vetes ta emëroja këshilltar. Ai është një mentor.
Rai3: Ah, është mentor.
Kryeministri: Po. Është njëri prej shtetarëve më të mëdhenj, sipas meje, pas Luftës së Ftohtë dhe është një prej mendjeve më të bukura që kam takuar në jetë. Të gëzosh miqësinë e tij, është, për mua, një medalje e madhe nderi.
Rai3: Edhe D’Alema ka ardhur në Shqipëri për të bërë tregti.
Kryeministri: Çfarë tregtie? Çfarë ka bërë.
Rai3: Ka ngritur një shoqëri lobimi.
KM: Po ç’tregti?!
Rai3: AEI
Kryeminstri: E pabesueshme! Kurrë nuk kam folur për tregti me Massimo D’Aleman. Kam folur gjithnjë për politikën, kam folur gjithnjë për Shqipërinë, kam folur gjithnjë për… Pastaj, ai është i lirë të bëjë çfarë të dojë. Epo t’i paraqesësh gjithmonë këto gjëra kështu!
Rai3: Po ka themeluar një shoqëri lobimi. D’Alema ka një shoqëri lobimi në Itali dhe ka themeluar edhe këtu një. AEI quhet.
Kryeministri: AEI
Rai3: AEI quhet.
Kryeministri: Unë di që ai punon për Ernst & Young në Itali.
Rai3: Ka një shoqëri lobimi edhe në Itali.
Kryeministri: Dhe nuk është shoqëri lobimi.
Rai3: Jo, ai ka një shoqëri lobimi të tijën në Itali.
Kryeministri: Nuk jam në dijeni të ndonjë shoqërie lobimi, por do t’ju kërkoja ta lini jashtë Massimo D’Alema-n nga ky not në baltë që po bëjmë së bashku.
Rai3: Nuk është not në baltë, sepse një ish-ortak i tiji, Consulcesi.
Kryeministri: Kush është?
Rai3: Consulcesi, që ka hapur një shoqëri trajnimesh.
Kryeministri: Ish-ortak i kujt?
Rai3: I D’Alema-s
Kryeministri: Po, unë nuk e di…
Rai3: Massimo Tortorella. Ju keni marrë pjesë në vitin 2019 bashkë me D’Alema-n në përurimin e kësaj shoqërie, të këtij filiali në Tiranë, i cili, edhe në Itali, ka treqind-katërqind punonjës.
Kryeministri: E pastaj?
Rai3: Në atë rast, Ministrja e Shëndetësisë shpalli të detyrueshëm formimin profesional për mjekët, në mënyrë që të ushtrojnë profesionin.
Kryeministri: E pabesueshme! E pabesueshme!
Rai3: Pse?
Kryeministri: E pabesueshme! Ne duam, kemi dashur të shfrytëzojmë një ekselencë italiane, për të kryer një proces aftësimi, të themi, të rritjes së aftësive në sektorin tonë shëndetësor dhe kjo kthehet në një problem?
Rai3: Jo, nuk është problem. Është thjesht një rrethanë që më bën kureshtar, që ish-ortaku i Massimo D’Alema-s hap një shoqëri këtu dhe kjo shoqëri, në momentin që hapet, ka një vendim që e favorizon njëfarësoj, edhe në raport me subjekte të tjera….
Kryeministri: Po pastaj çfarë ndodhi?
Rai3: Nuk e di, për këtë po ju pyes.
Kryeministri: Më vjen keq, po nuk ndodhi asgjë. Më vjen keq, duhej të ndodhte, po ja që nuk ndodhi.
Rai3: Edhe një tjetër subjekt politik që ka interesa këtu në Shqipëri, është Adolfo Urso
Kryeministri: Kurrë nuk ka ardhur për të folur me mua për interesa. Ka ardhur kur kishte vendosur të largohej nga politika.
Rai 3: Në atë kohë mbronte interesat e Becchetit.
Kryeministri: Nuk e di. Di që ka miq këtu, por me mua
Rai 3: I biri Pietro Urso ka një shoqëri që quhet Asigest në fushën e ndërmjetësimit të sigurimeve.
Kryeministri: Nuk e njoh.
Rai3: Edhe Vittorio Sgarbi ka ardhur t’ju trokasë në derë, në një farë pike.
Kryeministri: Ka qenë gjithnjë nder të pres Vittorio Sgarbin. Është një italian i madh. Librat e tij do të mbeten, artikujt për të do të zhduken. Kjo është historia. Kur të flitet për Vittorio Sgarbin, do flitet për librat e tij, për njohuritë e tij mbi artin, për mënyrën e qëndrimit dhe të të bërit televizion, që është sigurisht ultra provokuese, por artikujt për të s’mendoj do i lexojë kush.
Rai3: Më lejoni ta them ca me provokim, që është paksa konflikt interesi që ai është një vlerësues i madh i artit të tuaj.
Kryeministri: Ah, jam në konflikt interesi unë me Vittorio Sgarbin?
Rai3: Po, e thashë në mënyrë provokuese dhe simpatike. Ai është një vlerësues i madh i artit tuaj, Vittorio Sgarbi.
Kryeministri: Po unë nuk fola për vlerësimin e tij për artin tim. Unë fola për vlerësimin tim për Vittorio Sgarbin. Konflikt interesi mund të ishte nëse unë do thoja se Vittorio Sgarbi është i madh, sepse çmon artin tim ose se Vittorio Sgarbi vlerëson artin tim, ndaj ai është i madh. Unë nuk e thashë. Ju më pyetët për Vittorio Sgarbin. Nuk e di se ç’hyn, por e kuptoj që Vittorio Sgarbi tani është pjesë edhe njëherë e një përplasjeje të madhe në Itali dhe ju doni ta sillni tek unë.
Rai3: Kam një pyetje specifike, sepse i njëjti burim qeveritar të cilit iu referova më parë pretendon se ju keni kërkuar, edhe përpara ministrave të tjerë, një koncesion shtetëror, një PPP.
Kryeministri: Për Vittorio Sgarbin
Rai3: Po, pikërisht.
Kryeministri: Po kush jua thotë këto histori?! Po çfarë janë këto histori. Një PPP për Vittorio Sgarbin!
Rai3: Po, një hotel me lehtësira fiskale.
Kryeministri: Po a e imagjinoni dot ju Vittorio Sgarbin që administron një hotel. Do të ishte bordelloja më e madhe në historinë e hotelerisë, ndjesë.
Rai3: Me bordello e ke fjalën tamam për atë bordello?
Kryeministri: Jo, për atë bordello ndoshta e keni fjalën ju, sepse…
Rai3: Thjesht po ju pyes.
Kryeministri: Ne kemi një thënie, gjuha vete ku dhemb dhëmbi. Unë e thashë “një bordello e madhe” në kuptimin e rrëmujës. Po ju menduat bordello, se ndoshta do e kishit kënaqësi të vizitonit bordellon e Vittorio-s.
Rai3: Jo, jam lumturisht i martuar dhe i dënuar me monogami.
Kryeministri: E dini që ata që i frekuentojnë më shpesh bordellot janë të martuarit.
Rai3: Burrat e martuar? E di. Në fakt, ndoshta thjesht do të mbante emrin e tij, por nuk do ta administronte Sgarbi.
Kryeministri: Po ç’është kjo histori?! S’ka pasur kurrë një histori të tillë. Çfarë po thoni. Ai ka ardhur shumë herë. Kemi folur edhe për të krijuar rrethana ku Shqipëria të ishte një destinacion arti, po kurrë nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Më falni, po çfarë është ky, një proces gjykimi për qëllimet?
Rai3: Jo, është thjesht një ballafaqim i dëshmive të mbledhura, thjesht kaq.
Kryeministri: Po…
Rai3: Unë mbledh dëshmitë, vij te ju dhe i ballafaqoj drejtpërdrejt.
Kryeministri: Sipas meje, ka një problem të madh, sepse ju mblidhni thashetheme, nga njëri cep në tjetrin, nga persona që flasin, që thonë “kemi takuar”, “kemi parë”.
Rai3: Persona që thonë se i kanë parë drejtpërdrejt.
Kryeministri: Më fal, po faktet, faktet, ku janë faktet? Mirë pra, jemi parë me Vittorio-n, kemi menduar të hapim një bordello, në kuptimin me të cilin e merrni ju. Po faktet ku janë? Ku është bordelloja? Ë? Atëherë, si mund të shpenzohet koha e publikut italian, e shërbimit publik italian duke folur për thashetheme. Fole për këtë, a e pe atë, a e pe këtë tjetrin. Më falni, po për çfarë po flasim?
Rai3: Për fat të keq, është gazetari hulumtuese. Mund të jetë punë e pisët, por mban në këmbë demokracinë, Kryeministër.
Kryeministri: Gazetaria hulumtuese, sipas meje, është që ju hulumtoni dhe pastaj vini tek unë duke më paraqitur faktet dhe më gozhdoni me fakte, jo duke u përpjekur të më vini në siklet me thashetheme dhe duke folur për njerëz, për emra, për gjëra, për persona që, në fund të fundit, në një gazetari demokratike duhet të kenë të drejtën e dinjitetit personal. Çdo person që përmendet me emër duhet të ketë të drejtën e dinjitetit personal, për të mos u tallur me të, për të mos u vënë në mes të një ngatërrese të madhe, duke i krijuar probleme në familje, duke i krijuar probleme me miqtë, duke i krijuar probleme në qytetin e tij, sepse është përmendur nga shërbimi publik italian. Këto janë gjëra të pabesueshme. Ndërsa unë jam këtu për faktet. Duhet të më tregosh një fakt për të cilin duhet të përgjigjem, po me “kam takuar këtë, kam takuar atë tjetrin, pashë njërin, dikush më tha”. Për çfarë po flasim?
Rai3: Folëm edhe për koncesione që u janë personave që merren me pastrim parash për kartelin Sinaloa.
Kryeministri: Ja, prapë.
Rai3: Domethënë, po flasim për fakte konkrete. Po flasim për shoqëri tregtare që vijnë dhe ngrenë selitë e tyre këtu. Po flasim për fakte dhe dëshmitë e atyre që sjell nuk vijnë nga gazetarë, njerëz nga rruga a politikanë, po flasim për një figurë që ka pasur poste të larta në qeveri.
Kryeministri: Nuk po flasim për asnjë figurë dhe nuk po flasim për asgjë, sepse ju më flisni për diçka që unë as e di që ekziston, që ka një hetim e kështu me radhë dhe më flet për diçka që i takon drejtësisë, nuk më takon as mua as juve, i takon drejtësisë. Pastaj, fakti që..
Rai3: Po më takon edhe mua, se unë nuk duhet t’i nënshtrohem drejtësisë, ky hetim është i pavarur nga drejtësia.
Kryeministria: Jo, e kisha në kuptimin e fakteve për personin, jo që ju të mos bëni punën tuaj, edhe ajo na duhet.
Rai3: Pyetja e fundit për PD-në..
Kryeministri: Jo, nuk është pyetja e fundit, sepse keni ardhur tek unë për të marrë sqarime për atë gjënë e neveritshme dhe tani parashikoj një tjetër neveritje në horizont.
Rai3: Pse thoni një neveritje tjetër. Quhet hetim gazetaresk.
Kryeministri: Jua them unë pse. Sepse këtu u hodhën emra, u hodhën histori, që nuk mbështeten aspak në fakte. Aspak. Ky tha kështu, ai tha ashtu, një tjetër tha… Për çfarë po flasim? Unë jam kryeministri i një vendi që ka shumë halle dhe më duhet të punoj. Ndërkohë, ju vihem në dispozicion me respekt. Më në fund, do të kem të drejtën të përgjigjem për një program ku nuk kishte replikë.
Rai3: E kërkuam replikën. I kam çuar disa herë kërkesën për intervistë.
Kryeministri: Jo, nuk keni kërkuar asgjë. Madje, keni gënjyer edhe publikun italian, sepse i keni thënë që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ju ishte përgjigjur.
Rai3: Nuk pranoi kërkesën tonë për intervistë.
Kryeministri: Jo.
Rai3: E botuam përgjigjen në faqen e internetit.
Kryeministri: Jo, botimi në faqen e internetit erdhi më pas, kur ne ngritëm zërin. Po të mos kishim ngritur zërin, publikimi nuk do të ishte bërë.
Rai3: Nga këndvështrimi gazetaresk, përgjigjja ishte.
Kryeministri: Nga këndvështrimi gazetaresk, ajo është një pocaqi dhe ju u shprehët se kishte refuzuar të përgjigjej. Ndërkohë, kishit marrë të gjitha përgjigjet. Unë kam parë që…
Rai3: Kjo është një intervistë dhe ju po më përgjigjeni.
Kryeministri: Më fal, ju e keni bërë kërkesën me shkrim dhe kur e çuat kërkesën me shkrim, nuk thoshit që i dua përgjigjet edhe me gojë. I kërkuat me shkrim? I morët përgjigjet me shkrim. Dhe, jo vetëm që nuk i publikuat, dhe jo vetëm thatë që ai nuk ju ishte përgjigjur, po kur folët për gjërat e tij, thatë gënjeshtra. Gënjeshtra. Në rregull? Dhe, jo vetëm gënjeshtra, por e nxorët në një dritë të tillë, që shoh se, sipas jush, është e vetmja mënyrë për të hetuar, po nuk është e vërtetë, sepse nuk do të ishte mëkat nëse një hetim do të shkonte edhe në favor të të hetuarve tuaj. Domethënë, nuk duhet të keni gjithnjë ju të drejtë, që hyni për të gjetur fajtorë dhe tani njerëzit janë fajtorë, sepse ju duhet të justifikoni punën tuaj. Mund të bënit një hetim dhe, në fund, të thoshit “jo, Shqipëria nuk është narkoshtet”, sepse kjo është fyerje për një popull dhe fyerje për një vend.
Rai3: Këtë e kemi thënë, që ka akuza se është narkoshtet, nuk kemi elementet për të thënë që është narkoshtet. Në fakt, nuk jam këtu për t’ju thënë që jeni narkoshtet.
Kryeministri: Aaa, paska akuza! Akuza ka edhe që Italia është një narkoshtet, atëherë, çfarë do të thotë kjo?
Rai3: Do të ishte një akuzë shumë e drejtë, sipas këndvështrimit tim.
Kryeministri: Sipas jush?
Rai3: Është një shtet ku prania mafioze është shumë e fortë, mbi të gjitha, në institucione.
Kryeministri: Aaa, një narkoshtet, Italia një narkoshtet. Vendi juaj është një narkoshtet dhe ju e thoni kështu, pa u menduar dy herë.
Rai3: Sepse jam patriot dhe besoj se që të them, të pranoj dobësitë e institucioneve italiane përballë pranisë mafioze është shumë patriotike.
Kryeministri: Ju nuk e keni idenë se ç’është një narkoshtet. Nëse Italia do të ishte një narkoshtet, ju nuk do të kishit gojë të flisnit, se do ju varrosnin të gjallë në dhe.
Rai3: Ka mënyra të ndryshme për të groposur, Kryeministër, ka mënyra të ndryshme….
Kryeministri: Po, e pashë, e pashë. Është edhe mënyra…
Rai3: Nuk duhet detyrimisht të të vrasin.
Kryeministri: Jo, jo nuk ka nevojë. Liria e mendimit dhe e informimit mund të vritet edhe duke bërë gazetarinë tuaj. Nuk ka dyshim, sepse, thjesht, ke një telekamera, e përdor si armë, ke gjuhën dhe zërin dhe i përdor si plumba, ndërkohë që të tjerët janë vendosur aty sipas skenarit, për të arritur në konkluzionin e dëshiruar paraprakisht. Pra, njësoj siç e bënte Enver Hoxha. Përpara vendoste kush ishte fajtori dhe pastaj i shkonte mbrapa që t’i binte. Edhe kjo quhet mënyrë demokratike për t vrarë.
Rai3: Nuk do të isha këtu të merrja dëshminë tuaj. Do të isha kufizuar me mbledhjen e gjithë dëshmive…
Kryeministri: E keni bërë, e keni bërë.
Rai3: Po, ndërkohë jam këtu dhe do të raportoj të gjitha qëndrimet tuaja për çdo gjë që do të them.
Kryeministri: E keni bërë, e keni bërë tashmë. Ju jeni këtu, sepse unë ngrita zërin. Ju nuk jeni këtu sepse e zgjodhët.
Rai3: Kryeministër, kam kërkuar…
Kryeministri: Jo, jo nuk keni kërkuar asnjë intervistë zyrtarisht.
Rai3: Kryeministër, ju kam shkruar edhe në numrin tuaj privat, te zyra juaj e shtypit.
Kryeministri: Nuk ka asnjë kërkesë për intervistë në numrin tim privat.
Rai3: Kemi shkruar madje edhe përmes postës zyrtare. Për këtë më duhet t’ju korrigjoj, se po thoni diçka të pasaktë.
Kryeminstri: Çështja është këtu. Mirë pra, po them një gjë të pasaktë.
Rai3: Për këtë. Unë kërkesën për intervistë jua kam bërë dhe jam këtu jo sepse keni ngritur zërin, po sepse unë dua t’i dëgjoj të gjithë zërat
Kryeministri: Dua t’ju them diçka. Ky është impenjim për të hedhur baltë nga burimet më të pista të Shqipërisë që t’i vësh përpara në shërbimin publik e pastaj, t’ia paraqesësh popullit italian, sepse ju jeni kundër qendrave të pritjes.
Rai3: Kryeministër, më vjen vërtet keq për këtë qëndrim.
Kryeminstri: Më fal, po ç’interes ka publiku italian për thashetheme.
Rai3: Kryeministër më vjen shumë keq për këtë qëndrim, sepse ka dy mënyra për ta parë këtë që ka ndodhur, këtë intervistë. Njëra mënyrë është me vizionin pak autokrat të pretendosh se pyetjet e një gazetari janë baltë
Kryeministri: Jo, jo, jo, jo pyetjet…
Rai3: Ndjesë. Nga momenti që po ju them se prania e mafies është e fortë dhe madje edhe lidhjet me qeverinë tuaj. Ka shumë eksponentë të shumicës suaj, të qeverisë suaj, që janë arrestuar e madje edhe dënuar – ndjesë, më lejoni vetëm 30 sekonda – janë dënuar për raporte me mafien. Ka artikuj të shtypit ndërkombëtar, madje edhe qëndrime të mbajtura nga Senati dhe Kongresi amerikan, që i denoncojnë këto rreziqe. Unë do ta shihja si një mundësi që unë, si shërbimi publik italian po ju jap për t’iu shpjeguar shikuesve italianë cila është e vërteta nga këndvështrimi juaj, pra, për të sqaruar atë që për ju është keqkuptim.
Përse thoni që po hedh baltë? Unë po ju vë përpara një mikrofon dhe një telekamerë. Po ju jap hapësirë në emisionin tim që të mund të shprehni qëndrimin tuaj.
Kryeministri: Dëgjoni, unë nuk ju thashë që po hidhni baltë me pyetjet. Unë fola për programin. Nuk fola për pyetjet. Nuk ka pyetje të fajshme.
Rai3: Shkëlqyer.
Kryeministri: Por ekziston liria edhe për të folur për pyetjet, mirë? Por unë nuk thashë që pyetjet janë baltë. Ju tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër.
Rai3: Thatë që kam hedhur baltë vetëm se përmenda gjëra që kam hasur, vetëm për këtë më thatë që kam hedhur baltë.
Kryeministri Jo, jo. Më lini të mbaroj. Tani sapo thatë një gënjeshtër tjetër. Thatë “shumë eksponentë të qeverisë suaj”. Kush janë këta?
Rai3: Ka qenë një ministër i Brendshëm.
Kryeministri: Ah, një.
Rai3: Ishte ministri pasardhës, Xhafa, që nuk kishte gabuar, po dha dorëheqjen menjëherë më pas. Është ministri aktual i Brendshëm. Ka një bisedë midis dy krerëve të mafies, të cilët thonë: “E dimë kush do jetë ministri i ardhshëm i Brendshëm dhe përmendin emrin e Taulant Ballës. Më falni.
Kryeministri: Më fal, po që ti thuash këto gjëra duhet të jesh i pafytyrë. Unë nuk arrij dot ta imagjinoj sesi mundet shërbimi italian të tregojë këtë fytyrë… Pra, ato gjëra që po thoni janë të pakonceptueshme. “Shumë eksponentë” dhe pastaj flet për një ministër të Brendshëm, vite më parë dhe pastaj shton Fatmir Xhafën, njeriu i cili dha dorëheqjen në mënyrën më qytetare, jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë.
Rai3: I vëllai ishte i dënuar në Itali.
Kryeministri: Do më lini të mbaroj?
Rai3: Absolutisht, po.
Kryeministri: Jo sepse kishte lidhje me ndonjë gjë, po thjesht për një çështje morale. Në rregull? Pas një sulmi me baltë, për të cilin ka një proces gjyqësor që vazhdon dhe përbaltësi që ishte në vijë të parë është dënuar nga gjykata e shkallës së parë. Bën pjesë në grupin politik që e furnizon me këto gjëra.
Rai3: Nuk kam raporte me grupe politike.
Kryeministri: Lëreni këtë. Unë po flas për fakte. Opinionet janë një gjë, por kur flas për persona apo për çështje, flas për fakte. Pra, i grupit politik, se, çuditërisht programi “Report” është një megafon apo një amplifikator i të gjitha kazanit të plehrave të politikës shqiptare, të shtypit shqiptar, që e kanë bërë palën që i prodhon, një palë kaq humbëse, saqë sot, shefin e madh e kanë në një ballkon, në arrest shtëpie për korrupsion. Mirë? Dhe ju i merrni këto gjëra, i eksportoni në Itali, i hidhni atje, pastaj vini sërish këtu. Dhe jepi, emra, emra, emra. Fatmir Xhafa është njeriu që ka udhëhequr të gjithë përpjekjen tonë krah partnerëve ndërkombëtarë për reformën në drejtësi. Një reformë drejtësie që është duartrokitur nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe që po jep rezultate, sepse që nga momenti që Shqipëria u bë e pavarur nga Perandoria Osmane e deri në ditët tona, për herë të parë në historinë tonë, politika nuk ka më aftësinë për të kontrolluar sistemin gjyqësor. Për herë të parë në historinë tonë, ka subjekte politike të lidhura me qeverinë, me këtë shumicë që e deshi këtë reformë, të lidhur edhe me palën tjetër, që kanë dalë përpara gjykatësve dhe gjyqtarëve të kësaj strukture të posaçme. Dhe ju e merrni këtë emër, të një personi që kurrë, kurrë nuk është akuzuar me asnjë fakt në dorë për korrupsion ose për bashkëpunim për çfarëdolloj gjëje.
Rai3: Gabohem apo vëllai i tij është dënuar për trafikim në Itali.
Kryeministri: Më fal, më fal…
Rai3: Gabohem? Është e dhënë e gabuar?
Kryeministri Po më lër të mbaroj.
Rai3: Po Kryeministër, absolutisht.
Kryeministri: Dhe ju thoni eksponentë të lidhur me mafien.
Rai3: Jo, jo, jo të lidhur.
Kryeministri: Po, pra eksponentë të lidhur me mafien.
Rai3: Të akuzuar.
Kryeminstri: Po, që kur… Po vij te konceptet tuaja për demokracinë dhe lirinë. Për mua, përfaqësoni një prej realiteteve më të padiskutueshme të lirisë së plotë, në rregull? Dhe ankoheni pastaj, ankoheni se gjendeni nën trysni për këtë liri. Ju i jepni vetes të drejtën të thoni gjithçka doni për njerëzit. Atëherë, merrni sekretarin e përgjithshëm të qeverisë dhe thoni “avokati i narkotrafikantëve më të fuqishëm”. Gënjeshtër.
Rai3: Na e ka konfirmuar ai.
Kryeministri: Çfarë ju ka konfirmuar.
Rai3: Që mes klientëve të tij kishte të hetuar dhe që gjykoheshin për trafikim droge.
Kryeministri: Pikë së pari…
Rai3: E kemi parë edhe në letra, e dimë që kanë qenë klientët e tij.
Kryeministri Ah, paskeni zbuluar…
Rai3: Jo, nuk e kemi zbuluar. Është e thjeshtë, kontrollon në prokurori.
Kryeministri: Kështu, i manipulonte Enver Hoxha njerëzit.
Rai3: Po, është avokat, mund ta bëjë, mund të mbrojë kë të dojë. Të mbrosh një trafikant droge nuk do të thotë të jesh trafikant droge.
Kryeministri:Enver Hoxha dhe komunistët kështu i manipulonin njerëzit. Fiks kështu.
Rai3: Jemi manipulues.
Kryeministri: Jo, prit. Është metoda për të krijuar pasiguri dhe për të hedhur dyshime për persona që janë vënë në skenarin tuaj. Po ç’lidhje ka kjo. Ç’hyn kjo këtu. Ju flisni… Po ç’hyn Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, figura institucionale numër një e vendit. Atëherë, nëse bëhet një marrëveshje ndërkombëtare, në këtë rast si marrëveshja me Italinë, Sekretari i Përgjithshëm bën pjesë në grupin e punës për marrëveshjen. Pra, ç’hyn fakti që deri 10 vjet më parë, 11 vjet tanimë, ai kishte shkuar në Itali, si të gjithë shqiptarët që shkuan atje, në kërkim të një të ardhmeje. Bën shkollën në Itali për drejtësi, nis një praktikë avokatie në Itali, që ishte diçka e pabesueshme asokohe për një shqiptar.
Rai3: E jashtëzakonshme.
Kryeministri: E jashtëzakonshme. Bën avokatin penalist. Punon për demokracinë, sepse pa figurën e avokatit, demokracia nuk ekziston dhe sot vihet në shënjestër si një njeri i lidhur – i lidhur – me trafikantët më të fuqishëm të drogës dhe kur unë ju pyes, më falni, po çfarë është kjo? Ju më thoni, letrat. Në rregull, po a e dini ju, që figurat më të rëndësishme, nga më të rëndësishmet, të historisë franceze, të Europës; të ministrave të Miteranit dhe të tjerëve, vetë Miterani, kanë qenë avokatë penalistë. Kanë mbrojtur kriminelë lufte, kanë mbrojtur njerëz që kanë ngrënë fëmijë në Afrikë. Askush nuk ka guxuar që, duke gjykuar jetën e tyre më pas, të thonin: “Ee, ky është ai që ka lidhje me ata që hanë fëmijë”.
Rai3: Ne kemi folur për një rast konkret, duke bërë me dije edhe përgjegjësitë italiane në terren. Agaci ka qenë ndërmjetës me kryetrafikantin Shehu…
Kryeministri: Për të ardhur te rasti konkret, keni thënë një tjetër gënjeshtër totale. Edhe këtu keni gënjyer, sepse gjysmë të vërtetat janë gënjeshtrat më të mëdha. Kjo është një gjë e ditur, ju e dini, të gjithë e dinë, por ai program i Report-it e nxori në pah në të gjithë formën dhe thellësinë e vet këtë thënie. Gjysmë të vërtetat, krejtësisht gënjeshtra.
Rai3: Pse është gjysmë e vërtetë. Ka një dokument për dhurimin e tokës dhe kemi intervistuar protagonistin e drejtpërdrejtë, është Lisi, ish-kreu i Interpolit.
Kryeministri: Më falni, unë i kam lexuar të gjitha dokumentet, falë jush, sepse ju nuk ia lexuat publikut italian, se aty i kishit të tre. Atëherë, këtu bëhet fjalë për një histori krejt ndryshe dhe ju flisni edhe njëherë për një narkotrafikant, flisni për një person…
Rai3: …për drejtësinë italiane, Artur Shehu është i dërguar në gjykatë.
Kryeministri: Flet për një njeri që unë nuk e njoh.
Rai3: Artur Shehu.
Kryeministri: Mund edhe ta njihja, nuk është… por nuk më rezulton të jetë një person i dënuar, nuk më rezulton. I dërguar për gjykim është një gjë, i dënuar është gjë tjetër.
Rai3: Kreu i Interpolit nuk mund të marrë tokë nga dikush që është nën hetim.
Kryeministri: E para kjo. E dyta, flisni për diçka që është e pavërtetë, sepse nuk ka pasur asnjë ndërveprim, asnjë ndërveprim, në rolin e avokatit, nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave me këtë subjekt kur ishte avokat. Dhe këtë nuk e thatë në program.
Rai3: Është ajo që na tha Lisi.
Kryeministri: Jo, jo
Rai3: Na konfirmoi ndërveprimin, nuk tha që ishte takuar me narkotrafikant sepse personi i ndërmjetëm ishte arrestuar… nuk e di si e kishte emrin.
Kryeministri: Koka juaj është e mbushur plot me emra dhe nuk po dini më as ku t’i vini. Unë nuk dua t’ia di për emra.
Rai3: Po emri i ndërmjetëm është me interes, se është me interes për Artur Shehun, e njeh shumë mirë Engjëll Agaçin.
Kryeministri: Nuk më interesojnë emrat, nuk i njoh. Unë flas për fakte.
Rai3: Mirë, pra.
Kryeministi: Unë flas për faktet.
Rai3: Edhe unë.
Kryeministri: Jo, ju nuk flisni për faktet, ju flisni vetëm për gjysmë të vërteta që janë gënjeshtrat më të mëdha.
Rai3: Akoma nuk më keni thënë se cila është gënjeshtra, gjysmë e vërteta.
Kryeministri: Ç’hyn tani një avokat, që është marrë nga një grup personash të besuar të një të vdekuri që kishte pasur prona në Shqipëri, me origjinë shqiptare, i cili kishte prona në Shqipëri.
Rai3: E thamë.
Kryeministri: Ai kishte një prokurë nga gjykata për të ushtruar detyrën e vet si avokat, që nuk e ushtroi më kur u bë Sekretar i Përgjithshëm. Ç’hyn ai me këtë historinë e gjeneralit këtu, gjeneralit atje. Ç’lidhje ka? Pse keni vënë në mes një avokat, i cili nuk ka lidhje kurrkund me gjithë pjesën tjetër të historisë, që as nuk e njoh dhe as nuk më intereson. Sepse donit të provonit – dhe prapë doni ta bëni, e shoh, e parafytyroj tani edhe serinë e re – doni të vazhdoni të provoni që Xhorxha Meloni ka bërë një marrëveshje të gabuar me një qeveri plot hije. Dhe kjo është e turpshme! Mirë? Sepse nuk përkon me të vërtetën dhe përbëhet nga gjysmë të vërteta. Më flisni për ministrin e tretë të Brendshëm që është sot dhe më thoni, “në një telefonatë midis dy…”. Ku di gjë unë për telefonata… Jo, më falni. Ku di gjë unë për telefonatat midis personave që mund të thonë, “O, e takova unë atë. Kam takuar Edi Ramën, më tha, i thashë…”. Po ku e di unë këtë? Po si mund t’i nxirrni kështu këto gjëra? Ajo telefonatë, për të cilën folët, duhet jetë e lidhur me fakte. Pastaj, nëse faktet e mbështesin, në rregull. Po si mund të merren në dosje telefonata, kjo, ajo, dhe të dalësh e t’i thuash publikut, “ka pasur një telefonatë”. Ka pasur një telefonatë? Po çfarë pastaj? Unë hap telefonin – dhe ka raste që nuk njoh as numrat – hap telefonin dhe flas. Fakti duhet ndjekur. Domethënë, çfarë ka ndodhur më pas? Unë, tani, po mësoj çfarë do të thotë demokraci.
Rai3: Po iu mëson të tjerëve…
Kryeministri: Jo, jo. Po e mësoj unë duke ju parë juve
Rai3: Ah, ju.
Kryeministri: Duke ju parë juve, unë po mësoj çfarë do të thotë ta mbrosh demokracinë nga gjysmë të vërtetat. Sepse, në emër të demokracisë dhe të lirisë, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat ditët e sotme kanë marrë përmasa të jashtëzakonshme. I kuptoj rrjetet sociale, i kuptoj, po ky është shërbimi publik italian. Po si bëhet kjo, si bëhen gjëra të tilla?!
Rai3: Kryeministër, ne radhisim fakte, dëshmi të besueshme, po jo vetëm ne në Itali. Gazetaria e lirë dhe e pavarur këtë bën. Unë ju kam paraqitur vetëm fakte, ju thashë, një burim i besueshëm. Ju çfarë thoni?
Kryeministri: Ju nuk më keni rreshtuar deri tani, të paktën deri tani, asnjë fakt.
Rai3: Kështu e vlerësoni ju. Më vjen keq që e shihni kështu.
Kryeministri: Ju më keni rreshtuar… Jo, jo, më thoni ju ku janë faktet. Ju më keni rreshtuar…
Rai3: Ju po më thoni se, në Shqipëri, mafia nuk ekziston dhe nuk ka asnjë ndikim politik. Ky është qëndrimi juaj?
Kryeminstri: Më lini të mbaroj.
Rai3: Ju lutem. Sigurisht. Për të kuptuar të sintetizuar.
Kryeministri: Pra, është fakt që ju thoni që dy kriminelë flasin me njëri-tjetrin, nuk e vë në diskutim. Në rregull? Por, ta marrësh këtë fakt, ta sjellësh këtu. Domethënë, të udhëtoni nga Italia, të vini tek unë dhe të më thoni “shumë eksponentë…
Rai3: Iu përgjigja pyetjes suaj. Nuk ishte pyetja ime. Iu përgjigja pyetjes suaj.
Kryeministri: Jo, jo. Ju thatë, “shumë eksponentë të qeverisë suaj janë vërtetuar se kanë pasur lidhje me mafien”. E thatë ju. Kush? Më thoni një emër, që ka kaluar në gjykim dhe gjithë pjesën tjetër – unë nuk komentoj – po që nuk është provuar e as nuk është dënuar për bashkëpunim mafioz, që të jemi të qartë… Jo, jo, ju mund të bëni gjykatësin mbi gjykatësit, është e drejta juaj.
Rai3: Jo, unë bëj gazetarin.
Kryeministri: Unë ju flas për faktin. Për mua, të bësh gazetarin, është një gjë e madhe. Ky jam unë.
Rai3: Jeni ju këtu në foto?
Rai3: Çfarë ju ndodhi? Me flokë, nuk ju njoh.
Kryeministri: Sepse unë bëja gazetarin.
Rai3: Në ‘97-ën.
Kryeministri: Ky jam unë.
Rai3: Kush ju katandisi kështu?
Kryeministri: E patë që i kisha vendosur mbrapa. M’i solli një vajzë, e cila ka çelur një ekspozitë për lirinë e shtypit dhe i nxori, edhe pse i thashë që janë parë tashmë. Unë e di çfarë do të thotë të jesh gazetar.
Rai3: Kush ju katandisi ashtu, Kryeministër?
Kryeministri: Burimet prestigjioze që keni intervistuar ju për serinë e parë.
Rai3: Nuk ka qenë as burim, as i intervistuar. Po të kishte qenë për opozitën dhe çështjen e opozitës, do të vija te ju, për t’ju intervistuar për Berishën, po të kishte qenë çështje e opozitës.
Kryeministri: Mos më përmendni më emra këtu. Më pyetët “kush”? Unë ju dhashë përgjigje. Nuk është ai tema. Tema është kjo. Unë e di çfarë do të thotë të luftosh për lirinë e fjalës. Di edhe çfarë do të thotë të kesh ende mbi lëkurë shenjat, këtu dhe këtu.
Rai3: Po sot ju kontrolloni mediat në Shqipëri. Pjesa më e madhe e medias është në shërbim të qeverisë.
Kryeministri: Po thoni një tjetër gënjeshtër.
Rai3: Sa herë që ju flas, ju them një gënjeshtër, ta hajë dreqi.
Kryeministri Ju jeni i ngarkuar plot me gjysmë të vërteta. Kjo nuk është gazetari, kjo është gazetari e lehtë. Ju thoni unë bëj gazetari sikur të keni një kartë imuniteti… Më lini të mbaroj. Edhe kjo tani që nuk më lini kurrë të mbaroj. Unë nuk ju ndërpreva.
Rai3: Por i ndjek talk show-t italiane.
Kryeministri: Ju jeni në shtëpinë time, mund të më ndërprisni kur të doni. Këto janë rregullat e shtëpisë sonë.
Rai3: Absolutisht. Ju kërkoj ndjesë.
Kryeministri: Unë, kur dëgjoj që thuhet bëj gazetarin, iu them që bëni profesionin më të rëndësishëm, sepse është profesioni i së vërtetës, jo i gjysmë të vërtetave. Dhe pastaj kur të bërit gazetarin shndërrohet në një lloj imuniteti nga e vërteta dhe thua, “jo, unë i vë të gjithë përballë, dëgjoj këtë, dëgjoj atë, dëgjoj atë tjetrin”. Po është shumë e rëndësishme si i vë përballë, sepse sigurisht, që të gjithë kanë të drejtën të flasin, por është shumë e rëndësishme sepse duhen ndjekur nga fakte, duhen ndjekur nga dokumente, duhen ndjekur nga konfirmime. Për këtë jua thashë. Tani më thoni që “ju kontrolloni mediat”. Mbi çfarë baze?
Kryeministri: Une ju kam folur me fakte, ju me akuza, ketu aty..
Rai 3: Nga burime tw besueshme
Kryeministri (KM) : Unw personalisht nuk i konsideroj tw besueshme nga persona qw kanw probleme me drejtwsinw dhe dalin nw tv me retorika politike ose qw fshehin njwanshmwrinw e tyre duke mos qenw nw polltikw direkt, ok por cfarw lidhje ka kwto me investigimet.
Rai3: Unë, përpiqem ta bëj këtë punë në mënyrën më të ndërgjegjshme të mundshme, se nuk marrë njeriun nga rruga apo kundërshtarin politik dhe të them, po e ndërtoj këtë gjënë. Nëse ka një figurë, i cili ka qenë krah jush, krahu juaj i djathtë për vite të tëra, që tregon gjëra, unë e kam për detyrë si gazetar të vij te ju, edhe për interesin tuaj, t’ju pyes.
KM: Unë nuk kam asnjë problem me këtë.
Rai3: Pikërisht. Më jeni përgjigjur në mënyrë shumë paqësore, po mos e quaj baltë, janë vetëm pyetje.
KM: Jo, jo, unë nuk quaj pyetjet baltë, se tani nuk ka nevojë të vihem…
Rai3: Jo, jo, nuk po bëj viktimën, as që bëhet fjalë, keni qenë shumë i sjellshëm.
KM: Jo, jo, mos më bëni të përsëris veten dhe të sqaroj. Ju, këtu tek unë, kur hytë, nuk keni hedhur asnjë lloj balte.
Rai3: Ju falemnderit.
KM: U treguat pak dyshues për kafen, se nuk e pranuat. Ndoshta me gjithë ato që keni në kokë, ju ngjaj edhe si autokrati që mund të helmojë gazetarin, se dëgjova edhe drejtorin tuaj simpatik që bëri edhe një krahasim midis meje dhe Putinit, që kam ndërhyrë te Report-i. Për këtë thashë…
Rai3: Nuk tha që ishit si Putini.
KM: Jo, tha që ishte hera e dytë që një kryeministër i huaj… Bëri pak viktimizimin klasik, por pjesë e lojës është.
Rai3: Megjithatë, më duhet të them se Putini nuk ka marrë kurrë në telefon një drejtor të Rai-t.
KM: Për shumë arsye. Atij do t’i dukej një ulje shumë e madhe të merrte në telefon një drejtues të Rai-t. Kurse unë e shoh ndryshe. Kur marr në telefon drejtorin e Rai-t, më duket se marr nivelin më të lartë të atij, që për mua, është shërbimi publik italian. Ne jemi rritur me Rai-n.
Nuk është më Rai i njëherë e një kohe, por është Rai.
Rai3: Jam shumë dakord me këtë, Kryeministër,
për arsye të ndryshme, por bie shumë dakord.
KM: Po ju nuk i dini arsyet pse e mendoj kështu.
Rai3: Për arsye të ndryshme them.
KM: Jo, mund të kemi arsye të përbashkëta, po jo të gjitha.
Nëse më thua që Rai është ku thërret kiameti, për shkak të Xhorxhës…
Rai3: Jo, jo, ka njëzet vjet që është bërë për ibret, më shumë se njëzet vjet.
KM: Atëherë biem dakord.
Rai3; Të gjithë e kanë bërë. Ka nga ata që kanë bërë më keq,
ka ndoshta nga ata që po e bëjnë më keq.
KM: Kështu që, dallimi midis së majtës apo së djathtës. është kur vjen fjala për të marrë apo mbajtur pushtetin, por kur vijnë në pushtet janë të gjithë në një mendje.
Atëherë, po ju thoja për baltën. Sepse unë këmbëngul, që programi – nuk di nëse bëni ndonjë korrigjim të stilit, nuk e di nëse ia dilni dot po ishte mirë edhe për ju, në kuptimin që, po, mund të thuhen të gjitha, por jo paragjykimet, jo etiketimet, jo përgojimet e personave që nuk janë të pranishëm. Pastaj, të gjitha gjërat që u thanë në atë program, çfarë bënë në fund të fundit? Kanë bërë atë që ju donit të bënit. Domethënë, marrëveshja është një marrëveshje shumë e keqe. E drejta juaj e shenjtë.
Rai3: Jologjik, nuk është një gjykim vleror, irracional.
KM: Mendimi juaj i shenjtë, nga këndvështrimi juaj, është një marrëveshje bërrnut, doni të thoni ju.
Rai3: E thatë ju.
KM: Pastaj, i shtoni në një mënyrë, do të thoja unë, shumë djallëzore hijen nga mbrapa, pra “është një marrëveshje me një vend narkotrafiku… me eksponentë të mafies… bashkëpunëtorë me mafien… avokati i trafikantëve të pushtetshëm të drogës”… Për çfarë bëhet e gjithë kjo? E gjithë kjo bëhet për të mbështetur paragjykimin tuaj, por duke i bërë një padrejtësi të madhe një vendi, një populli që nuk e meriton këtë. Drejtori juaj thotë: “Jo, jo, ne nuk e kishim me popullin shqiptar”.
Rai3: Absolutisht, jo.
KM: Më falni, po do të ishte kulmi po ta kishit me popullin shqiptar, por i keni bërë një padrejtësi të madhe popullit shqiptar, sepse ju keni vënë italianëve para syve diçka që nuk përkon me të vërtetën.
Rai3: Po, prania e mafies këtu në Shqipëri, është e fortë apo jo? Nuk më jeni përgjigjur ende për këtë
Kryeministër. A ka një prani shumë të fuqishme mafioze?
KM: Po ç’prani shumë e fuqishme mafioze në Shqipëri?!
Rai3: Nuk ka.
KM: Mes “shumë e fuqishme” dhe “nuk ka” qëndrojnë shumë nuanca të tjera.
Rai3: Më thoni cili është grada e fuqisë, e forcës.
KM: Më lini të mbaroj. Do ju them gjithçka doni, gjithçka. Mund të më mbani peng këtu sa të doni.
Rai3: Tani, peng…!
KM: Kemi një thënie të lashtë ne, “shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”. Ju jeni mik. Ju jeni këtu. Zoti nuk është, nuk është i pranishëm. Është, po jo këtu. Na sheh, por…
Rai3: Do ketë punë më të rëndësishme se të na shohë.
KM: Thotë me siguri që po kaloj një moment interesant me mikun tim, po, megjithatë, për sa kohë Zoti nuk është këtu, jeni ju perëndia. Mund të bëni çfarë të doni. Të dilni kur doni, të qëndroni. Për mua, nuk ka problem.
Rai3: Ju falënderoj.
KM: Unë po ju them – se për këtë duhet të flasim – padrejtësia që i është bërë është e konsiderueshme edhe në një aspekt tjetër. Një gjë të tillë shqiptarëve ua thonë çdo ditë vende e burime informimi dhe keqinformimi në Shqipëri. Iu dalin e iu teprojnë. Po duhet të ketë një arsye që të gjithë ata që ndjekin këtë qasje të gjysmë të vërtetave vetëm humbasin e humbasin. Humbasin dhe shkojnë poshtë e më poshtë. Ndërkohë që, t’i shohësh të njëjtat gjëra – se janë të njëjtat gjëra, nuk keni thënë asgjë të re sa u përket gjërave për të cilat kemi folur, domethënë janë gjëra të ditura – në shërbimin publik italian, në Rai 3, bën përshtypje. Nuk është diçka rastësore që, pastaj, ata që i thonë prej shumë kohësh, pas programit u hodhën e thanë, “epo tani e tha edhe Rai 3, tani këto janë gjëra të vërteta”. Atëherë, për çfarë po flasim? Në këtë kuptim, i keni bërë padrejtësi popullit shqiptar, në sytë e italianëve dhe në sytë e atyre që shohin Rai-n. Nuk ka dyshim, nuk diskutohet, që ka një faktor të mafies shqiptare, edhe pse e urrej t’iu vesh etni apo kombësi kriminelëve, sepse ata nuk kanë flamur, nuk kanë ngjyrë, kanë vetëm faktin që janë kriminelë. Të shtosh gjithmonë “mafia italiane, mafia shqiptare” iu bën një lloj padrejtësie të gjithë italianëve dhe të gjithë shqiptarëve. Mafia është mafie. Kur flisni për mafiozët tuaj, ju nuk thoni “mafiozët italianë”, thoni mafiozët tanë, kaq, pikë, mafiozët e vendit tonë. Në këtë kuptim…
Rai3: Po duhet t’i dallojmë.
KM: E thashë, ka një faktor të mafies shqiptare që…
Rai3: Që ka ndotur ekonominë shqiptare apo jo?
KM: Që ka një faktor të mafies shqiptare në territorin e mafies, nuk diskutohet. Është e kotë ta diskutojmë këtë. Që ka sigurisht një luftë kundër krimit të organizuar në Shqipëri ka, sepse ata janë nuk është se nuk janë dhe po luftojmë me mullinjtë e erës. Nuk diskutohet që është një luftë që vazhdon, është një luftë që ka pasur sukses shumë të konsiderueshëm dhe nuk e them unë. Në lidhje mjaft të ngushtë me Italinë dhe me agjencitë ndërkombëtare, por, së pari, me Italinë, në të gjitha planet, nga policia, te gjykatësit, Italia na ka dhënë një dorë shumë të madhe. Që kjo luftë vazhdon nuk ka diskutim, por ashtu siç e thatë me të drejtë që Italia ka shënuar përparim të konsiderueshëm në këtë luftë, edhe ne kemi bërë përparim shumë të rëndësishëm në këtë luftë. Po që ka, nuk diskutohet. Që merr forma të reja, nuk diskutohet. Po, që të thuash se kontrollon ekonominë shqiptare, është…
Rai3: Ndot, ka ndotur, siç ndot edhe politikën. Kjo është pyetja.
KM: Politikë të ndotur nga mafia në Shqipëri, jua them sinqerisht, që nuk e shoh. Nuk e shoh. Fuqi për t’u imponuar, fuqi për të devijuar vendime të rëndësishme, fuqi për të kontrolluar pjesë të asaj ekonomie që administron shteti, unë nuk e shoh.
Faktet nuk e thonë.