24-vjeçarja Florijana Ismaili u gjet e pajetë para pak ditësh në liqenin e Komos në Itali. Trupi i saj u gjet në një thellësi prej 204 metrash dhe jo shumë larg vendit ku ishte zhdukur.
Ajo kishte shkuar me pushime nga Zvicra në Itali me një shoqen e saj, por pasi ishte futur në liqen, nuk kishte mundur dot të dilte më. 24-vjeçarja luante me Zvicrën dhe Young Boys.
Mediat italiane kanë publikuar pamje nga momentet e tërheqjes së trupit të 24-vjeçares. Ismaili, e lindur në Bern nga prindër shqiptarë, ka qenë pjesë e Young Boys që prej vitit 2011. Më 2014, ajo debutoi edhe në ekipin kombëtar të Zvicër dhe që prej atëherë i zhvilloi 33 ndeshje.
Ditën e sotme kanë dalë edhe rezultatet e autopsisë pas ngjarjes tragjike të së shtunës së kaluar.
Në fillim u dyshua se futbollistja kishte humbur jetën për shkak të një sulmi në zemër, por prokurori i Comos, Nicola Piacente ka hedhur poshtë këto dyshime, teksa raporti i parë mjekësor i vdekjes së 24-vjeçarjes tregon se shqiptarja kishte asfiksi akute.
Kjo asfiksi akute erdhi për shkak se Florijana kishte konsumuar shumë ushqim para se të futej në liqen për t’u larë. Ka të ngjarë që kjo të ketë ndikuar në vdekjen e papritur të futbollistes, thuhet në raport.