Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka folur për ngjarjen, ku u dhunua avokati Sokol Mëngjesi. I ftuar në ‘Opinion’, Balla u shpreh se ngjarja është e rëndë, por ishte e vështirë të parandalohej pasi nuk është sinjalizuar paraprakisht.
Balla: Unë i bashkohem shqetësimit lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe shpresoj që zoti Mëngjesi ta kalojë këtë situatë të vështirë. Kam komunikuar me doktorët që janë nën kujdes. Deri të hënën është në rrezik për jetën, nëse kalon e hëna do e kalojë. Bëhet fjalë për një konflikt të vjetër. Një kolegu të zotit Mëngjesi i kam thënë si ka mundësi që nuk sinjalizuat policinë e shtetit?! Kjo është një ngjarje e rëndë, por brenda disa orëve, policia e shtetit ka arrestuar edhe autorin kryesor edhe porositësin. Një ngjarje e tillë është e vështirë ta parandalosh nëse nuk ke sinjalizime paraprake. Qytetarët konflikte të tilla duhet ti sinjalizojnë në kohë. Ajo që për ne ka rëndësi është që personi që ka goditur dhe organizatori janë të ndaluar. Unë mund t’ju them kaq, kam pasur një komunikim me drejtuesit e policisë së shtetit për shkak të rëndësisë se figurës së personit që u dhunua.
Policia identifikoi si autorë të sulmit shtetasit: Romario Tabaku, Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia, ndërkohë që porositësi i sulmit është shtetasi Dritan Nano, me të cilin avokati kishte një konflikt të hapur, lidhur me një pagesë që nuk i ishte dhënë nga ana e klientit të tij. Njëri prej autorëve të dhunimit, shtetasi Dorian Alia u vetedorëzua dje në policinë e Tiranës, ndërkohë që vijon puna për kapjen e personave të tjerë, ndërsa blutë kanë dhënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për çdo person që jep informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre. Edhe organizatori i sulmit, shtetasi Dritan Nano është ndaluar dje nga policia, dhe pritet ti komunikohet masa e arrestit.