Policia e Shkodrës ka nisur procedimin për dy persona, të cilët akuzohen për shitje të paautorizuar dhe falsifikim të të dhënave të kartave SIM.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, materialet janë referuar në Prokurori dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. J., 20 vjeçe, dhe F. Sh., 34 vjeç, banues në Shkodër. Dyshohet se këto karta SIM janë përdorur nga persona me precedent kriminal.
Policia raportoi: “Shisnin pa autorizim dhe duke falsifikuar të dhënat, karta SIM, të cilat dyshohet se përdoreshin nga shtetas me precedent kriminal, identifikohen dhe procedohen penalisht 2 shtetas. Sekuestrohen 79 formularë të kartave SIM, me të dhëna të dyshuara të falsifikuara.”
Hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të këtij rasti, dhe materialet procedurale janë dërguar në Prokurorinë e Shkodrës për veprat penale “Shitja e paautorizuar e kartave SIM” dhe “Falsifikimi i dokumenteve.”