Deputeti i PD-së, Flamur Noka, në fjalën e tij në parlament për projekt-rezolutën për krimet e komunizmit, tha se sot në pushtet janë “komunistët e rinj”. Ai theksoi se disa socialistë që janë në pushtet kanë duartrokitur diktatorin Enver Hoxha dhe akuzoi Rilindjen se po mbjell terror njësoj si ai.
“Instituti për Krimet e Komunizmit meriton mbështetje, por ju nuk ia keni dhënë e nuk doni t’ja jepni. Disa prej jush kanë duartrokitur largqoftin. Ju nuk jeni ndarë nga ai regjim. Edhe mënyra si qeverisni, tregon të njëjtën metodë, por pak më e modernizuar,” tha Noka. Ai shtoi se socialistët sot sundojnë dhe jo qeverisin, dhe se ata që mendojnë ndryshe i konsiderojnë armiq.
Noka gjithashtu akuzoi qeverinë për zhdukjen e shtresës së mesme dhe për vjedhjen e parave të shqiptarëve. “Ju vidhni më shumë se komunistët, vidhni paratë e shqiptarëve dhe bëni vila pa fund, bëni inceneratorin që nuk ekziston, keni 5D, skemë korruptive mafioze si kurrë më parë. Bëni ligje për t’ju marrë pronat shqiptarëve, me kamuflim,” përfundoi Noka.