Presidenti Ilir Meta, pas zgjedhjeve të 30 qershorit ka filluar të jetë më aktiv në rrjetet sociale.
Ditën e sotme, Meta ka shkruar se fajin për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese e ka Rama, madje edhe shkatërrimi i Reformës në Drejtësi u bë me bekimin e ndërkombëtarëve.
Meta ka ironizuar, duke thënë se shpreson që arritjet e Ramaformës mos t’i marrin vesh anëtarët e Komisionit të Venecias, pasi do të kalojnë në gjendje të fikti.
Presidenti shton se nuk ka frikë nga Reforma në Drejtësi edhe pse e thonë shumë njerëz. Ai ka shtuar në postimin e tij se kur të jetë më i lirë do shkruajë me terezi edhe arsyet që askush nuk i tregon se përse sot pas 3 vitesh nuk kemi asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Postimi i plotë i Metës në Facebook
Mirëdita të dashur miq! Duke udhëtuar drejt Tropojës sapo përfundova leximin e shtypit për sot. Ndaj ju ftoj edhe ju që të lexoni me vëmendje një shkrim i cili ndihmon për të kuptuar si funksionon shndërrimi i Reformës Historike të Drejtësisë të 21-22 korrikut në Ramaformë.
Më vonë, kur të jem më i lirë që të shkruaj me terezi do kënaqeni kur t’ju tregoj se pse sot pas tre vitesh nuk keni asnjë anëtar të Gjykatës Kushtetuese. Askush më mirë se unë nuk ua tregon dot, jo se jam ndonjë tregimtar i madh, por për shkak të detyrave të larta edhe si ish-Kryetar i Kuvendit e si President i Republikës.
Të jeni të sigurt se fajin nuk e ka Reforma e bërë me 140 vota në Kuvend tre vjet më parë, por transformimi i saj në Ramaformë bashkë me një kor të strukturuar ndërkombëtar që nuk do të pranojë bashkëfajësinë për këtë dështim që po e vuajnë qytetarët, ekonomia dhe biznesi.
Shpresoj që këto “arritje” të Ramaformës të mos i mësojnë Profesorët e nderuar të Komisionit të Venecias, të paktën gjatë verës, se më e pakta do kalojnë në gjendje të fikti, përveçse s’do e kuptojnë kurrë pse duhet të punonin e studionin për mëse një vit me intensitet aq të lartë e të vinin e të iknin shumë herë kur këtë Ramaformë mund ta kishte mbyllur z.Agaci për një javë dhe disa miq të inamoruar pas reformës të brohorisnin “È buono per l’Albania”.
E di që disa do thonë se kam frikë nga Reforma në Drejtësi e sidomos nga Spaku. Pa merak për të gjithë sepse sapo kalova edhe Spaçin. Kalofshi bukur sot të gjithë.