Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur hapur kundërshtinë e tij ndaj një komisioni për reformat, i cili pritet të miratohet së shpejti në Kuvend. Ai e quan këtë komision si propagandistik dhe jo të ndershëm.
“Ne nuk duhet të marrim pjesë në një komision që është krijuar në mënyrë të njëanshme, si një platformë elektorale nga Edi Rama. Është vetëm për të hedhur hi syve të qytetarëve dhe ndërkombëtarëve për realitetin në vend. Edi Rama, i cili ka krijuar një sistem të tërë korrupsioni dhe ka futur krimin në institucionet kryesore të shtetit, s’mund të ketë ndonjë vullnet të vërtetë për reforma”, deklaroi Salianji. Ai shtoi se Partia Demokratike dhe opozita nuk do të lejojnë të përdoren nga Rama si mjet për të luftuar kundër SPAK-ut. “Ky është një komision propagandistik, jo një platformë serioze reformash. Ne kemi kontribuar në reforma të rëndësishme si ajo në drejtësi dhe ajo territoriale, por kjo situatë është krejt ndryshe”, theksoi ai.