Qytetarët e Tiranës janë mbledhur sërish për të protestuar përpara ndërtesës së Bashkisë, duke kërkuar largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj. Protestuesit akuzojnë Veliajn për korrupsion të thellë brenda institucionit, i cili sipas tyre, kulmoi me arrestimin e fundit të pesë drejtorëve të Bashkisë.
Në mesin e folësve ishte edhe Dorjan Teliti, i cili i drejtoi fjalët e tij jo vetëm të pranishmëve, por edhe kryeministrit Edi Rama. “Ky institucion është kthyer në një shpellë korrupsioni dhe klientelizmi dhe që do ta zbrazim nga ata që po shkatërrojnë të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë,” u shpreh Teliti gjatë protestës.
Teliti sfidoi gjithashtu kryeministrin me pyetje të drejtpërdrejta në lidhje me përgjegjësinë dhe transparencën e qeverisë: “Ju e patë dje Kryeministrin, Edi Ramën, i cili fliste për korrupsionin, se si donte ai ta luftonte atë. E ka një provë të parë për ta dhënë, pasnesër. A do të ketë fuqi Edi Rama të sjellë Erion Veliajn në Këshillin Bashkiak, përballë me gazetarët për të dhënë llogari?!”
Protestuesit kërkojnë përgjigje në lidhje me shpenzimet e mëdha dhe projektet kontroversiale, duke përfshirë 132 milionë eurot për një incenerator në Tiranë që nuk ekziston. “A ka fuqi Edi Rama që ta detyrojë Erion Veliajn që të vijë në Këshill Bashkiak dhe të japë llogari se ku kanë shkuar këto para?” shtoi Teliti.