Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ka raportuar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat në lidhje me performancën ekonomike të vendit gjatë vitit 2023. Ai theksoi se forcimi i Lekut ka qenë rezultat i rritjes së eksporteve dhe turizmit, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në ekonominë vendase.
Sejko shpjegoi se ka pasur më pak ndërhyrje në politikat e interesit gjatë vitit 2023 krahasuar me vitin 2022, ku pati pesë rritje të normës së interesit, ndërsa në 2023 u regjistruan vetëm dy rritje. “Ky ngadalësim pasqyroi forcimin e kursit të këmbimit dhe kahun konsolidues të politikës fiskale,” tha ai.
Guvernatori shtoi, “Mbiçmimi i shpejtë i Lekut ndihmoi në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste, ndërsa konsolidimi fiskal ndihmoi në frenimin e presioneve në brendshme inflacioniste.” Ai theksoi se forcimi i Lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike në vend.
“Në mënyrë të përmbledhur, analizat tona kanë konkluduar se trendi forcues i kursit të këmbimit ka ardhur si pasojë e përmirësimit strukturor të bilancit të shkëmbimeve tregtare dhe financiare të Shqipërisë me botën, të pasqyruara në rritjen e eksporteve, kryesisht të turizmit, remitancave dhe investimeve të huaja direkte,” sqaroi Sejko.
Ai përmbylli duke u shprehur se forcimi i Lekut ka kontribuar në kontrollin e inflacionit, duke rritur fuqinë blerëse të shqiptarëve dhe duke mundësuar një normalizim të qëndrimit të politikës monetare. Si rezultat, Shqipëria ka arritur të mbajë një nga normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon, normën më të ulët të inflacionit dhe rritjen më të ngadaltë të kostove të financimit.